Ka ndodhur

I plagosuri në hotel në Ksamil dhe autorët e sulmit janë shokë; policia i arreston të tre

Personi i mbetur i plagosur mbrëmjen e së premtes në një dhomë hoteli në Ksamil dhe autorët e sulmit ndaj tij janë shokë, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe vetë viktima me akuzën e prodhimit të lëndëve narkotike dhe moskallëzimit të krimit.

Policia njoftoi këtë të shtunë se ka zbardhur sulmin me armë ndaj 27-vjeçarit, Tauland Beqiri, banues në Këlcyrë, ka prangosur tre persona si të përfshirë në këtë ngjarje si dhe ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike.

Të arrestuarit janë shtetasit Edison Vyzaj, 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili akuzohet për “plagosje të rëndë me dashje” dhe armëmbajtje pa leje. Vyzaj është personi që dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të 27-vjeçarit Beqiri.

Masa e arrestit i është komunikuar në spital edhe vetë Tauland Beqirit, për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe moskallëzimin e krimit. Beqiri, pasi është dërguar në spital ka refuzuar që të japë gjeneralitetet dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes.

Personi i tretë i ndaluar është një shtetas i huaj i identifikuar si 24-vjeçari Makawitage Perera, banues në Itali. Edhe ndaj tij akuzat janë ajo e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas policisë, Perera ka fshehur armën e zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë