Futboll

“I pavdekshmi” Samuel Eto firmos kontratën e re në Katar

Spanjë, Itali, Angli, Rusi, Turqi dhe tani Katar. Nuk perëndon kurrë Samuel Eto, ish-sulmuesi i Barcelonës, Çelsit dhe Interit. Kamerunasi, tashmë në moshën 37-vjeçare, ka vendosur të pranojë ofertën e Katar Sports Klub dhe do të luajë në kampionatin e Katarit, ku gjen dy miq të vjetër si Ksavi Hernandez (Al Sad) dhe Uelsi Shnejder (Al Garafa). Pas përvojave në Turqi, fillimisht me Antaliasporin dhe më pas me Koniasporin, sulmuesi veteran nuk pranoi të varë “këpucët në gozhdë”, por firmosi në Katar.

Ylli i futbollit afrikan do të luajë në vendin që do të organizojë Botërorin e 2022-shit. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga klubi i ri i Etosë, Katar Sports Klub, me një mesazh në Tuiter. Firma me Eto është një goditje e madhe, jo vetëm mediatike, për klubin që e mbylli sezonin e fundit në mesin e klasifikimit dhe aktualisht ka pak shpresa të fitojë diçka. Sulmuesi kishte pohuar pak ditë më parë se disa skuadra nga Franca e kishin kontaktuar, por në fund ka vendosur oferta nga Katari.

Samuel Eto, kur luante për Barcelonën

Samuel Eto ka një karrierë shumë të pasur. Në vitin 2009 ai ka fituar Champions League me Barcelonën, një vit më pas ka fituar të njëjtin trofe me Interin, duke qenë pjesë e tripletës së famshme të Mourinjos. Ka luajtur edhe me Majorkën në Spanjë, me Sampdorian në Itali, Çelsin dhe Evertonin në Angli, Anzhin në Rusi dhe Antaliasporin dhe Koniasporin në Turqi. Eto ka qenë kapiten i Kamerunit dhe më fanellën e tij ka shënuar 56 gola në 118 ndeshje. Ka fituar dy Kupa të Afrikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë