Rend dhe Ligj

I moshuari vjedh biçikletën: Isha i pirë, nuk jam hajdut

Fajet i ka rakia. Një i moshuar i vendosur nën pranga pasi u zbulua nga këqyrja e kamerave të sigurisë në një lokal, këmbëngul se është i pafajshëm dhe se ai u përfshi në një vjedhje nga ndikimi i alkoolit.

Q. C. u arrestua nga komisariati numër katër në kryeqytet pas kallëzimit të 20-vjeçarit K. C. I riu u paraqit në polici, pasi konstatoi humbjen e biçikletës, që e kishte lënë në hyrje të lokalit Blakstone pranë rrugës “5 Maji”. “Biçikletën nuk e kisha lidhur, pasi aty e lë prej kohësh ngjitur me karriget, por për pak minuta pashë që biçikleta u vodh”, rrëfen në polici i riu. Zyrtarisht, policia deklaron se këqyri kamerat e sigurisë në lokal ku dhe shikohet që aty afrohet një burrë rreth 60 vjeç dhe largohet menjëherë. Në biçikletë, K.C përshkruan se ishte shkruar “Never not ballin” dhe se ajo është me ngjyrë të bardhë dhe me goma të trasha. Por policia pohon se nuk janë detajet e sendit të vjedhur që zbuluan autorin e ngjarjes, por kamerat e sigurisë. Menjëherë sapo policia pa një varg kamerash i shkoi në banesë dhe nga kontrolli i saj gjeti në oborr biçikletën e të riut.

Por i moshuari i ka habitur agjentët e policisë pohojnë burimet policore të gazetës Si. Ai pretendon se ishte në gjendje të dehur dhe se e kishte tepruar aq shumë me rakinë, sa në mënyrë të pavetëdijshme kishte marrë biçikletën e dikujt tjetër pa e dalluar që ajo nuk ishte e tija.

“Ndihem në siklet tani që po shoh kamerat dhe po më tregoni që ky këtu në pamje jam unë. Unë jam bërë gjysh gjashtë herë, nuk jam hajdut”, thotë i moshuari nga Tirana. Megjithatë, policia këmbëngul se ai dyshohet për vjedhjen e biçikletës, pasi agjentët e pyetën se ku e kishte biçikletën e tij dhe çfarë lokali kishte frekuentuar. “Isha në një bar, po pija dhe nuk mbaj mend ku e lashë biçikletën time. Duhet të kem menduar që kjo ishte biçikleta dhe e kam marrë duke u larguar në banesë”, shton i moshuari për policinë, e cila nga ana e saj plotësoi dokumentet e arrestimit në flagrancë, pasi dyshon që nuk bëhet fjalë për një ngatërresë të vogël, duke qenë se sipas policisë në momentin që të moshuarit i doli pija, ai duhet ta kishte kuptuar ngatërresën dhe të kthente biçikletën.

Por edhe në këtë pikë, i moshuari ka kundërshtimet e tij që e justifikojnë pasi “nuk e kishte parë aspak se çfarë kishte bërë”. Në raportin e shërbimit në policisë pohohet se në kamerën e sigurisë së lokalit në fjalë shikohet një burrë me karakteristikat e 60-vjeçarit me maskë anti Covid në fytyrë, me syze dielli dhe rreth 1.80 cm që pasi qëndron disa minuta në lokalin “Black stone” ngrihet dhe drejtohet për nga vendi ku gjendej biçikleta e të riut dhe e merr atë qetësisht. Policia duke i qëndruar kallëzimit të të riut pretendon për gazetën Si, se biçikleta kushtonte 800 euro dhe se për të parandaluar bumin e madh të vjedhjeve të biçikletave që po ndodhin në Tiranë që prej pandemisë, edhe të moshuarin e arrestoi për akuzën e vjedhjes dhe pritet t’ia dorëzojë prokurorisë, e cila nga ana e saj do t’i drejtohet gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë