Njerez

I fundit i lustraxhinjve të Tiranës tregon për turpet e zengjinëve të rinj

Sabina Veizaj - Bën ftohtë shumë. Është dita e parë e uljes drastike të temperaturave dhe Qaniun e gjej në vendin e përhershëm, në një cep të rrugës "Abdi Toptani" kur era nuk të rrok tepër.

Qani Berati

I mbledhur kruspull, i veshur me disa pulovra leshi njëra mbi tjetrën më fton të ulem pranë tij dhe të bisedojmë.

Qani Berati është 62 vjeç dhe zanatin e lustraxhiut e ka nisur 37 vite të shkuara në Tiranë.
Zanatin e ka trashëguar nga i ati, por jo me detyrim. Thotë se e joshnin paratë që shihte në duart e tij, por sot situata paraqitet krejt ndryshe.

Qani Berati

“Jam më veterani në Tiranë i mbetur gjallë për lustrimin dhe bojatisjen e këpucëve. Kam filluar në 1979. Kam pasur babain që punonte tek Bashkia. Shkoja aty të vidhja zanatin. Pastaj ika ushtar. U ktheva në 1981 dhe mora dyqan. Ka qenë Ndërmarrja e Riparim Shërbimit në atë kohë ku kanë ishin të mbledhura gjithë shërbimet; berberhanet, rrobaqepsitë, bojaxhinjtë. Dhe pastaj tek Plazza e kam pasur kioskën. Më vonë kur nisi të ndërtohej hoteli, u largova. Aty ishim 4-5 lustraxhinj veteranë që punonim. Tani jemi në këtë gjendje të mjerueshme të shpërndarë nëpër Tiranë", thotë Qaniu

Mandej në hyrje të Hotel Plazza, pranë derës së ashensorit gjej më vonë kolegun e tij, Refik Dapin, i cili ishte larguar prej qoshkut të punës bosh.

Refik Dapi

Edhe ai është një prej ish-punonjësve të Ndërmarrjes së Shërbimeve që e ka nisur zanatin në 1967. “I jepte rajoni për familjet që kishin shumë fëmijë. Të jepte vendin ku të punoje. Xhaxhi kishte këtë zanat. Mbaroja shkollën dhe shkoja punoja tek xhaxhai. E kam traditë sepse xhaxhallarët dhe babi ishin të gjithë lustraxhinj këpucësh”, më thotë Refiku duke qeshur dhe vazhdon të më shpjegojë se arsyeja e vetme ishte "paraja e shkretë".

Në atë kohë një palë këpucë bojatiseshin dhe lustroheshin për 8-10 lekë.

Prandaj u pëlqente djemve të rinj që kërkonin t’i përvidheshin shkollës.
“Nga që shikoja babain me lekë në dorë, ajo ishte mania e moshës tonë që ishim të rinj. E pëlqeja lekun. Kush nuk e ka qejf?! Jetoja mirë në atë kohë me zanatin”, më tregon Qaniu.
Kurse Refiku nostalgjik tregon se "atëherë ekonomia ishte më ndryshe". Me 10 lekë merrje panine dhe qofte!

Megjithatë, ditët që Qaniu dhe Refiku po i përjetojnë me pesimizëm sot, nuk ka qenë gjithmonë kështu për zanatin e tyre pas ndryshimit të sistemit.

Refiku kujton se pesë vite më parë ai e mbyllte punën në 9 të mbrëmjes dhe largohej për në shtëpi me 2000-3000 lekë çdo natë, pavarësisht se të lyesh dhe lustrosh një palë këpucë sot nuk kushton më shumë se 200 lekë.

Kurse prej pesë vitesh, të dalë në rrugë, qoshkave të kryeqytetit, ata thonë se punojnë vetëm me klientët e përhershëm. Ndërsa Refiku ka ende klientët e vjetër të tijët dhe të të atit, të cilët për fat të keq jo të gjithë kanë mbetur besnikë pasi stacioni i autobusëve ka ndryshuar destinacion.

Qaniu, ashtu i mbledhur, më rrëfen teksa zëri i përzihet me zhurmën e makinave që kalojnë gati tek këmbët dhe erën e fortë që ngre gjethet e thara përpjetë me furi e zhurmë.
“Ndërsa atëherë bakshishi nuk lejohej, madje shkruhej në tabelë; ndalohet bakshishi, sot unë jam i lumtur kur më lënë bakshish, sepse tek unë vijnë herëpashere njerëz që kanë. Para 5-6 ditësh një vajzë e re ndali për të bojatisur këpucët dhe më la 10 euro. Pi një kafe xhaxhi. Se i erdhi keq”, thotë ai.

Ndërsa dikur i vinin deputetë, presidentë, profesorë, etj, sot Qaniu thotë se kanë turp të ndalojnë, sidomos tani që nuk ka një vend të mbyllur. “Ka ndryshuar kultura dhe kushtet. Unë vetë punoja dikur dhe këpucët i lyeja tek tjetri. Sot u vjen turp të vijnë të lyejnë këpucët. I kanë agallarët tek shtëpia që ua lyejnë e ua prishin dhe vinë për t'i rregulluar tek unë. Edhe të huajt vijnë. Ata dinë të vlerësojnë. Është punë me pisllëk, por e bukur. Këpuca ku nuk shkel, por është e bukur. Prandaj të huajt e vlerësojnë,” thotë ai.

Klientët besnikë Qaniut i numërohen rreth 20. Janë zyrtarë kryesisht, sipërmarrës dhe qytetarë të huaj. Këta të fundit i lënë përherë bakshish.


ERWIN EINZINGER

Ndërsa shkrimtari austriak Erwin Eininger, bujtës në rezidencën letrare në Tiranë “Tirana in Between” është habitur tek ka parë një paradite në bulevard se lustraxhinjtë e këpucëve ekzistojnë ende në një formë të tillë.

“Pasi e pashë në bulevard, shkova mora këpucët më të mira dhe i bojatisa e i lustrova. Vazhdova të habitesha edhe me çmimin. Më kërkoi 200 lekë, ndërsa unë i dhashë 300. Shumë, shumë lirë”, tregon shkrimtari.

"Kam punuar edhe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Profesor Rexhep Mejdani më thoshte puna është kulturë", kujton Qaniu. Pranë nesh kalon një zotëri me dosje.
"Zotëria, do t'i bëjë këpucët?" i drejtohet ai, por përgjigjja është negative.

“Me sy të lirë është e rrallë të shohësh njerëz që mbajnë këpucë sot. Ja të dy ne nuk kemi për të lyer këpucë, jemi me atlete”, më drejtohet, gati-gati duke u ankuar për modën.
Por e veçanta e lustraxhinjve veteranë është se ata kanë ende në përdorim bojërat e dikurshme të ndërmarrjes kimike.

“Këto bojërat e sotme nuk vlejnë asnjë lekë. Me t'i fal nuk i përdor dot. Kam ende bojërat e sistemit të Enver Hoxhës, pa etiketë. I kam pasur që kur u shkatërrua ndërmarrja. I kishim me shumicë. Dhe i kam ruajtur. Kam gjendje edhe për dy vjet. Nuk kam asnjë bojë të ditëve të sotshme. Të gjitha janë të ish-Kimikes Tiranë. Nuk kanë etiketë sepse ashtu kanë qenë atëherë”, më thotë Qaniu, duke më treguar me dorë disa copa pelushi me të cilat mban ngrohtë bojërat gjatë dimrit të ftohtë.

Ai më thotë se ngjyrat, përveç të zezës, familjet nuk mund t'i përdorin sepse prandaj është specialisti, kërkon teknikë. “Bojë blu psh. Bojë të verdhë, bezhë që nuk i përdor dot. Unë me pak fjalë luaj rolin e piktorit. Nëse piktori pikturon me penel, unë përdor sfungjerin.”
"Bojërat e sotshme", - revoltohet butë Qaniu - "janë 80% llak". "Kurse bojërat e dikurshme që unë përdor janë 100% bojë. Nuk e dëmtojnë këpucën. Psh. Këpucët kastor që janë delikate, të dish ta përdorësh, është specialitet më vete. Ti e blen 10 mijë lekë, por ti nuk di ta përdorësh dhe i shkatërron këpucët që ke blerë 150 euro. Një të lyer me bojë, i shkatërrove.”- më shpjegon Qaniu duke më treguar se te ai një bojatisje dhe lustrim këpucësh kushton 100-150 lekë, kurse për çizmet 300 lekë.

Kurse Refiku bojërat i bën vetë. "Ngjyrat i bëj me pluhur të kohës së Enverit. Me këtë vrull kam edhe për 20 vjet", thotë duke ankuar për punën që ka vdekur dhe e bën që për ditë të tëra të shkojë në shtëpi pa asnjë kacidhe. Kjo e ka detyruar të kërkojë punë, por është e pamundur të gjejë një të tillë për shkak të moshës së madhe.

Edhe Qaniu, me gjithë sëmundjen që ka, thotë se del çdo ditë, pavarësisht se ka ose jo punë. Ai në shtëpi ka gruan invalide dhe dy fëmijët. Në familje punon vetëm Qaniu. “Kam klientë të përhershëm, që po nuk më gjetën, nuk dua ta humb besimin e tyre dhe si rrjedhojë edhe ata. Sepse kur vijnë, kanë nevojë. Vijnë m'i sjellin edhe me qese.”

Duke kujtuar familjen, Qaniu merr frymë thellë dhe ngashëren e mandej kujtohet që dimri ka trokitur dhe thotë që të punosh jashtë në dimër është e tmerrshme, ndërsa në kohë me shi rrezikon edhe bojërat.

“Nuk mund t'i prishësh këpucët tjetrit që i ka blerë shtrenjtë. Edhe në dimër këtu jam, vetëm kur bie shi nuk dal se nuk vjen njeri është e garantuar. Jam bërë si lavazh. Prandaj duhet kioska, sepse njerëzit i sjellin edhe me qese. Ku t'ua lyej, këtu jashtë në shi? Jam i detyruar të iki paskëtaj dhe rezultoj me minus", më thotë Qaniu.

Ashtu si një pjesë e madhe e shqiptarëve që aspirojnë për të ikur, edhe Qaniu do të dëshironte të kishte një jetë tjetër jashtë kufijve. “Nuk kam moshë, por do kisha ikur. Punohet pa kushte? 62 vjeç në mes të të ftohtit. Më shumë marr ilaçe. Unë mbaj triko leshi dhe punoj me djersë. Nuk merrem dot me pisllëqe”, më thotë Qaniu.

Në fakt, ai kujton se disa punonjës të Bashkisë kanë ardhur t'i pyesin dhe marrin masat për kostum pune dhe sipërfaqen e vendit të punës. Mendohet që në Pazarin artizanal që po krijon Bashkia e Tiranës, do të jenë pjesë edhe lustraxhinjtë e vjetër.

1877

Lustraxhinjtë e këpucëve nuk ishin të mirënjohur si një produkt komercial deri në fillim të shekullit të 20-të. Gjatë gjithë shekullit të 19-të, ata e bartnin shërbimin e tyre në rrugë, veçanërisht në qytetet e Mbretërisë së Bashkuar.

Zanati është i zakonshëm në shumë vende të botës: me të ardhurat e fituara nga djem të rinj lustraxhinj që kontribuojnë me një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave familjare, veçanërisht kur babai i familjes ka vdekur ose nuk mund të punojë më.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë