Ngjarje

“I bleva me paratë e mia! Shitësit na detyruan, s’kam shkelur ligjet” – Si po justifikohen ‘të damkosurit’ e Pandora Papers

Protagonistët e “Pandora Papers” kanë nisur të reagojnë njëri pas tjetrit në lidhje me skandalin ku përmenden për fshehje të pasurive dhe shmangie të taksave.

Zyra e Mbretit Abdullah në Jordani i cilësoi raportimet si të shtrembëruara dhe të tepruara, përmes një deklarate të shpërndarë nga pallati mbretëror Hashemit.

“Nuk është sekret që Madhëria e Tij zotëron një numër apartamentesh dhe rezidencash në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Ai i shfrytëzon këto prona gjatë vizitave zyrtare për të pritur zyrtarët e huaj, si dhe për të qëndruar me familjen gjatë udhëtimeve private. Këto prona nuk janë mbajtur të fshehura, ashtu siç thuhet në raportime”, thotë mbretëria hashemite e Jordanisë.

Në deklaratë pretendohet se paratë për blerjen e tyre janë të familjes mbretërore dhe jo nga taksat e buxheti i Jordanisë.

“Blerja është bërë me fonde personale të Madhërisë së Tij dhe në përputhje me të gjitha rregullat ligjore dhe detyrimet e tjera financiare”, thotë deklarata.

Megjithatë, edhe nëse nuk ka asnjë shkelje ligjore, blerja e pronave me vlerë 100 milionë dollarë nga Mbreti Abdullah në periudhën kur Jordania merrte kredi 900 milionë dollarë ngre shqetësime morale për monarkun e vendit të Lindjes së Mesme.

Kryeministri çek, Andrej Babis, që në letrat e Pandorës zbulohet se ka blerë përmes llogarive të fshehta një kështjellë në jug të Francës me një vlerë prej të paktën 15 milionë euro tha se nuk ka kryer asnjë shkelje.

“Nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore. Publikimi është përpjekje për të më diskredituar mua para zgjedhjeve të 8-9 tetorit”, tha ai.

Mes dokumenteve të “Pandora Papers” del tërthorazi edhe emri i Kryeministrit britanik, Boris Johnson. Dokumentet zbulojnë emrin e Mohamed Amersi, një prej financuesve kryesorë të Johnson gjatë fushatave për marrjen e partisë dhe më pas të postit të Kryeministrit.

Amersi del i përfshirë në skandale korruptive madhore në këto dokumentacione, si në rastin e pagesës së ryshfeteve për një kompani suedeze telekomunikimi. Kompania u gjobit më pas me 965 milionë dollarë nga gjykatat amerikane për përpjekje për shkelje privatësie dhe mosrespektim të kontratave.

Boris Johnson u shfajësua duke deklaruar se të gjitha donacionet e bëra gjatë fushatës janë deklaruar në përputhje me ligjet në fuqi.

“Gjithçka që mund të them është se këto donacione janë verifikuar në përputhje me rregullat në fuqi, të vendosura që në kohën e qeverisë laburiste”, tha Johnson.

Ish-Kryeministri britanik, Tony Blair dhe bashkëshortja e tij, Cherie, që në këto dokumente thuhet se u janë shmangur taksave në një shumë prej rreth 350 mijë eurosh me blerjen e një prone në Londër u mbrojtën duke thënë se nuk kanë shkelur asnjë ligj dhe se ishte kërkesë e shitësit për formën e transaksionit.

Blair akuzohet se në vend që të blinte drejtpërdrejt pronën e nxjerrë në shitje, bleu për 6.5 mln euro kompaninë që e zotëronte atë. Për shkak se kompania ishte e regjistruar në parajsa fiskale shmangej detyrimi për të paguar taksën 350 mijë euroshe.

Cherie Blair, që në të shkuarën ka kritikuar praktika të tilla si forma të shmangies së taksave, tha se në këtë rast shitësit këmbëngulën që transaksioni të kryhej në këtë formë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë