Kombetarja

Hysen Zmijani: Broja na duhet patjetër, Silvinjo do vendosë me zgjuarsi për listën

Gazeta Si - Shqipëria është në fazën e provave të Europianit, të cilin e ka siguruar me kualifikueset më të mira në historinë e saj. Kuqezinjtë zunë vendin e parë në grup, duke lënë pas Çekinë dhe Poloninë, luajtën futboll të bukur dhe rrjedhimisht kanë rritur pritshmëritë.

Në Europian muzika ndryshon, pasi përballë do të jenë Italia, Kroacia dhe Spanja, por Kombëtarja janë ka potencial për të bërë diçka të mirë në Gjermani këtë verë.

Hysen Zmijani, një nga ish-lojtarët e shquar të Kombëtares në vitet ’80-90 dhe një nga mbrojtësit anësorë më profilikë shqiptarë, jep opinionin e tij për Gazeta Si në lidhje me testin e parë me Kilin dhe atë çfarë pret nga Silvinjo dhe skuadra e tij.

Hysen Zmijani dhe Sulejman Demollari, dy ish-lojtare te shquar te Kombetares

“Së pari do të thosha se kemi marrë një leksion të mirë nga Kili në atë miqësore. Nuk do ta quaja shuplakë, por mësim dhe sigurisht që është më mirë që na ndodhi tani. Dua të theksoj se Kili ishte një kundërshtar shumë i fortë, ndryshe nga skuadrat që kemi pasur në grup. Nuk na la të bënim lojën tonë për 80 minuta, ose ndoshta edhe më shumë.

Besoj se stafi teknik ka marrë sinjale të qarta në atë miqësore se çfarë duhet bërë para se të shkojmë në Europian. Koha për t’u korrigjuar deri atëherë është e mjaftueshme dhe kjo është pozitive. Nga ajo që pashë, kuptova se skuadra jonë ka vështirësi të mëdha me kundërshtarë që na bëjnë presion. Nëse edhe kundërshtarët që kemi në grup na bëjnë presion si Kili, do ta kemi të vështirë”, - ka thënë fillimisht Zmiajni.

Ish-futbollisti shkodran gjithsesi i sheh gjërat me optimizëm, pasi ka vlerësim maksimal për trajnerin Silvinjo dhe punën e tij: “Kjo është skuadra më e mirë që ne kemi pasur ndonjëherë. Kemi ndjerë kënaqësi, duke parë kualifikueset e Europianit, kemi marrë rezultate dhe kemi luajtur bukur, me nivel dhe personalitet. Kjo është shumë e rëndësishme.

Shqipëria aktuale nuk është më ajo skuadra e mëparshme, që qëndron në mbrojtje dhe pret të kundërsulmojë për të bërë diçka. Silvinjo mendoj se është njeriu i duhur për Kombëtaren tonë, na ka sjellë lojtarë që as i mendonim se mund të luanin në Kombëtare. Është meritë e tij. Tani ka marrë një mësim nga miqësoja me Kilin, kemi edhe miqësoren me Suedinë dhe pastaj të shohim.

Janë miqësore, që e ndihmojnë stafin teknik për të përgatitur sa më mirë skuadrën e Europianit. Kam bindjen se Shqipëria, nëse do të bëjë progres, nëse do të bëjë hapa përpara, do ta bëjë me këtë trajner”, - thekson më tej për Gazeta Si ish-mbrojtësi i djathtë.

Zmijani ne nje ndeshje ndaj Gjermanise

I pyetur për listën zyrtare të Europianit, aq shumë e përfolur në opinionin sportiv, Zmijani është shprehur: “Kam shumë besim se trajneri do të bëjë zgjedhjet e duhura. Ai do të vendosë me zgjuarsi për ata që do t’i shërbejnë më shumë skuadrës dhe në Gjermani do të marrë më të mirët”.

Një koment Zmijani ka edhe për Brojën: “Ai është lojtari më i mirë së kemi, na duhet patjetër në Gjermani. Tani puna është që ta vëmë në funksion të skuadrës, që të mos arrijmë në pikën ku të themi: po presim, por nuk po na jep gjë. Me Kilin u fut në lojë dhe krijoi rastin më të pastër për shënim, pavarësisht se gjuajtja mund të ishte më e mirë. Broja ka shpejtësinë, driblimin, gjuajtjen. Është një lojtar që mund t’i japë shumë Kombëtares”.

Zmijani (i dyti ulur nga e majta) me Kombetaren

Kush e impresionon më tepër nga lojtarët kuqezi? Hysen Zmijani përgjigjet: “Më bëhet qejfi, kur shoh në Kombëtare lojtarë që kanë ecur me këmbët e veta, jo me hatër. Sepse fusha e blertë tregon gjithçka, e nxjerr hiçin.

Gjimshiti më ka bërë përshtypje, ka një prezencë të jashtëzakonshme në fushë, tamam një lider me eprsonalitet. Mitaj pastaj është një lojtar shumë simpatik në krahun e majtë, duket sikur ka shumë vite me fanellën e Kombëtares. Ka cilësi shumë të mira, ka një lloj ëmbëlsie në lojë, në prekjen e topit.

Krahu i djathtë? Hysaj sigurisht që i ka cilësitë dhe me eksperiencën ndërkombëtare që ka, mund ta ndihmojë më shumë skuadrën. Ai ka ecur me zgjuarsi deri këtu ku është dhe po me këtë zgjuarsi duhet të veprojë edhe në Kombëtare”, - ka përfunduar për Gazeta Si një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Hysen Zmijani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë