Kombetarja

Kili na zbulon defektet, kuqezinjtë marrin leksion futbolli në testin e parë para Europianit

Gazeta Si – Shqipëria ka pësuar një humbje të thellë në testin e parë para Europianit të Gjermanisë. Miqësorja me Kilin në Parma është mbyllur me fitoren 0-3 të skuadrës amerikano-jugore, që i ka treguar defektet trajnerit Silvinjo.

Edhe pse sfida u zhbllokua nga një gol që erdhi pas një prekje të topit me dorë, dominimi i kilianëve ishte i dukshëm. Golit të Vargas në pjesën e parë iu shtuan ata të Bolados dhe Davila në pjesën e dytë. Silvinjo provoi në këtë test Manajn si titullar dhe disa lojtarë të tjerë në pjesën e dytë, si Broja, Muçolli, Muçi dhe Hoxha, me këtë të fundit që debutoi me fanellën kuqezi.

Atmosfera në stadiumin e Parmës ishte fantastike, me shumë tifozë shqiptarë të pranishëm, por loja e skuadrës nuk iu përgjigj interesimit të tyre. Shumë gabime, sidomos në lojën mbrojtëse, çka e tregon qartë edhe fakti që pësuam 3 gola. Gola të pësuar me shumë lehtësi.

Kuqezinjtë rrezikuan vetëm në pak raste, me Asanin, Ramadanin dhe Brojën, por ishin larg pritshmërive në lojë. Kjo ishte humbja më e thellë për trajnerin Silvinjo që kur është në krye të Kombëtares shqiptare.

Kili ishte një skuadër mjaft teknike dhe me një përgatitje të lartë fizike. Tani mbetet që skuadra të korrigjohet në testet e tjera që të shkojë në Gjermani 2024 pa defektet që u panë sot, sepse në të kundërt humbjet si kjo me Kilin do të jenë të pashmangshme, aq më tepër që luajmë me skuadra kalibri, si Italia, Kroacia dhe Spanja.

Shqipëri-Kili 0-3
Shënues: Vargas 19’, Bolados 83', Davila 90'
Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Mihaj, Gjimshiti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Bajrami, Asani, Seferi, Manaj. Trajner: Silvinjo
Kili: Bravo, Isla, Suazo, Liçnovski, Diaz, Nunjez, Eçeverria, Davila, Sançez, Osorio, Vargas. Trajner: R.Garreka


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë