Rend dhe Ligj

Hyjnë në magazinat e Postës, por dalin duarbosh. Roja: Më ndoqën me maska në kokë

Grabitja më e bujshme e një postieri pa dyshim që është ajo e dhunimit dhe rrëmbimit të postës sekrete të prokurorisë së Durrësit të ndodhur dy vite më parë. Por kësaj radhe grabitësit i kanë shtuar ambiciet dhe kanë tentuar të vjedhin krejt postën. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në periferi të Tiranës ku sipas administrimit të dëshmive, roja i zyrave është rrethuar nga grabitës, të cilët të maskuar e kanë kërcënuar, por që në përfundim nuk kanë marrë asgjë prej tij. Kallëzimi mësohet sipas burimeve të gazetës Si të jetë regjistruar nga Policia e Vorës. Burimet sqarojnë për gazetën Si se shtetasi S.X. është i punësuar si roje shërbimi pranë zyrave të postës shqiptare. Denoncuesi kishte si detyrë të ruante magazinat e postës që ndodhen pranë një pike karburanti. “Isha në shërbim, në parkim gjendeshin të gjitha makinat e postës, magazinat ishin plot me mall”, e nis dëshminë e tij roja.

Grabitësit sipas tij u shfaqën sapo në këto ambiente janë fikur dritat. “Saktësisht nuk më kujtohet sa ishte ora, nuk kishte drita prej gati 8 minutash. Dola jashtë se shiu m’u duk sikur kishte pushuar dhe desha të ndez një cigare. Dola rreth makinave të postës dhe aty dolën dy persona të maskuar, me pistoleta, kishin maska në kokë”.

Roja i postës tregon sipas burimeve policore të gazetës Si se ai u largua me shpejtësi dhe pas tij u vunë hajdutët.

“Më ndoqën nga pas deri në sallën e magazinës, mbylla derën, por ata e shtynë me forcë, nuk po e mbaja dot dhe e lëshova derën dhe me vrap hyra në sallën tjetër. bërtita emra të ndryshëm që hajdutët të mendonin që kishte persona të tjerë në ambientet e punës ”.

Policia bën me dije për gazetën Si se njëri nga hajdutët e ka qetësuar në distancë. “Mos ki frikë se nuk të vrasim”.

Vizita e hajdutëve ka zgjatur vetëm pak çaste, nga njëra anë roja kujton në polici se vazhdonte të thërriste emra të ndryshëm, kurse më pas dëgjoi përplasjen e derës dhe kuptoi se dy burrat e maskuar ishin larguar. “Kisha frikë të dilja e të shikoja ku dhe a kishin ikur. Më vonë dola prej andej dhe nisa të kontrolloj se çfarë kishin vjedhur dhe nëse kishin vjedhur ndonjë gjë”, vazhdon rrëfimin roja.

Agjentët e policisë të çuditur nga dëshmia dhe kontrollet në magazinën e postës ku dhe ka rezultuar se prej andej nuk është rrëmbyer asgjë e pyesin për tiparet dhe dialektin e hajdutëve.

Agjenti: çfarë tiparesh kishin? çfarë kishin veshur?

Roja: ishte diçka e befasishme, nuk mbaj mend përveç maskës, por ishin të dobët dhe të gjatë. Në përshtypjen time duhet të ishin tek 25 apo 30 vjeç.

Agjenti: kishin hyrë për të vjedhur?

Roja: besoj që po, ata kanë këputur gardhin rrethues, dhe kanë hyrë. Por s’di se çfarë do vidhnin.

Burimet e Policisë së Vorës thonë për gazetën Si se pavarësisht saktësimit dhe faktit që në magazinën e postës shqiptare nuk është vjedhur asgjë, forma e çuditshme si ka ndodhur ngjarja dhe fakti që aty kanë hyrë persona të armatosur, krijon bindjen se posta do të vidhej dhe ndaj duhen zbuluar autorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë