Futboll

Hristo Stoiçkov, gjeniu i mbrapshtë që erdhi nga Bullgaria

Hristo Stoiçkov, një futbollist me këtë emër nuk mund të ishte kurrë banal. Ai ka lënë shenjën e tij në futbollin botëror, për mirë dhe për keq. Stoiçkov është i pari – dhe i vetmi deri tani – futbollist bullgar, i cili ka fituar “Topin e artë”. Ai ka hyrë në histori edhe për bëmat e tij. Një sulmues race, por edhe i egër, grindavec dhe i papërmbajtshëm. Një ekuilibër i çuditshëm mes klasit dhe çmendurisë. Defektet që e kanë bërë të njohur në gjithë botën pa dyshim që kanë limituar karrierën e tij.

Që Hristo Stoiçko kishte talent të jashtëzakonshëm, nuk është vënë kurrë në diskutim. Por që ai nuk ka ditur ta kontrollojë veten në fushë, është diçka që është zbuluar menjëherë. Në sezonin e parë si profesionist ai tregoi temperamentin e tij, krejtësisht i kundërt me atë të një shenjtori. Në një ndeshje finale me rivalët e Levskit të Sofies nuk ishte dakord me disa vendime arbitrare dhe në një sherr masiv ai bëhet protagonist kryesor, duke marrë më pas një dënim kilometrik.

Hristo Stoiçkov me fanellën e Barcelonës

Por talenti i bullgarit nuk kalon pa u vënë re. Barcelona u vu në atë kohë menjëherë pas atij djaloshi, që e pa veten në kampionatin spanjoll, me një nga skuadrat më të mëdha në botë. Kampionati ideal për një sulmues “të hidhur” si ai. Futboll elegant dhe zbavitës, por problemi ishte se Stoiçkov nuk arrinte ta mbante gjuhën nën kontroll. U pagëzua menjëherë si “Ayatollah” për mënyrën e festimit të golave. Pasi hapte krahët pas çdo goli, ai sulmonte këdo. Mes huqeve të Stoiçkov ishte edhe autovlerësimi dhe ndonjëherë e ekzagjeronte. “Hristo janë dy në botë: një në qiell dhe një në tokë. Pastaj ishte edhe gjyshi im”, – shprehej bullgari me humor.

Edhe te Barcelona nuk arritën ta zbusnin. “Van Gal? Më largoi, sepse nuk mund ta pranonte faktin që unë me Barcelonën të fitoja më shumë se ai kishte fituar në gjithë karrierën e tij”, – ka thënë Stoiçkov për përplasjen me trajnerin holandez. Ky i fundit ia kishte bërë të qartë: “Nëse do të ishte për mua, ti nuk do të luaje kurrë”. Jo vetëm suksese me katalanasit. Stoiçkov nuk e harronte zakonin dhe gjatë një debati me arbitrat, i jep një goditje arbitrit Urizar Azpitarte. Një veprim që e la jashtë për disa ndeshje dhe një gjest që iu fal për faktin se kishte kontribuuar në 4 titujt radhazi kampion në Spanjë dhe mbi të gjitha për Kupën e Kampionëve në vitin 1992.

Stoiçkov shënon golin e kualifikimit ndaj Gjermanisë në çerekfinalen e Botërorit 1994

Mrekullia ma e madhe futbollistike e Hristo Stoiçkov mbetet pa dyshim Botërori 1994. Bullgaria kaloi grupin bashkë me Argjentinën, kaloi më pas me penallti Meksikën dhe shkoi deri në gjysmëfinale. Goli i Stoiçkov ndaj Gjermanisë është një moment historik për futbollin bullgar. Botërori i Bullgarisë përfundoi në gjysmëfinale, pas përplasjes me Italinë e Roberto Baxhos.

Hristo ka pasur një raport të veçantë edhe me femrat. “Filozofia ime? Dashuria. E trajtoj topin si gruan time dhe vajzat e mia, por duke i thënë se çfarë duhet të bëjë dhe ku duhet të shkojë. Dashuria duhet udhëhequr”. E paharrueshme është një gafë e tij, kur publikoi në rrjetet sociale një foto me kompjuterin në sfond, ku mes faqeve të hapura ishte dhe një sit me drita të kuqe.

Më pak i dashur, shumë më pak i dashur për shokët e skuadrës. Edhe kur nisi karrierën si trajner, nuk ishte një fushë me lule për bullgarin e famshëm. Bullgaria e tij jo vetëm nuk u kualifikua për në Botërorin e 2006-ës, por pati edhe një rebelim ndaj trajnerit Stoiçkov, i kryesuar nga kapiteni Petrov, që bashkë me të tjerë refuzuan të grumbulloheshin në ekipin kombëtar prej trajnerit. Një përvojë e hidhur për Hristo Stoiçkov, gjeniun e mbrapshtë.

Hristo Stoiçkov, kur drejtonte Bullgarinë

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë