Politike

Hoxha takon Gjuriç: Deklaratat e ministres serbe për Kosovën janë të papranueshme

Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua në margjinat e Ministerialit për ​​rikthimin e terrorizmit politik me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.

Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan mbi zhvillimet aktuale në rajon dhe perspektivat e ardhshme të marrëdhënieve mes vendeve.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë bisedës me ministrin e Jashtëm serb ka ripërsëritur qëndrimin e Shqipërisë lidhur me deklaratat e fundit të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë për Kosovën, të cilat Tirana i ka cilësuar të papranueshme.

“Përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, shkroi Hoxha.

Ministri shqiptar theksoi se dialogu mbetet mënyra e vetme për të trajtuar mosmarrëveshjet mes vendeve.

“Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi”, u shpreh Hoxha.

Takimi vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vijojnë të jenë të tensionuara, ndërsa Shqipëria ka kërkuar vazhdimisht shmangien e deklaratave që mund të cenojnë stabilitetin në rajon dhe procesin e dialogut.

Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kosovë dhe më gjerë. Ministrja në detyrë e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte paraqitur kallëzim penal ndaj Paunoviçit, duke e cilësuar deklaratën si justifikim të spastrimit etnik dhe nxitje të urrejtjes.

Kosova gjithashtu e shpalli Paunoviçin persona non grata, ndërsa deklarata e saj u kritikua edhe nga zyrtarë evropianë.

Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cilësoi deklaratën si “tronditëse” dhe tha se ishte e habitshme që një ministre që bën deklarata të tilla vazhdon të mbajë postin qeveritar.

Pas reagimeve, Paunoviç u tërhoq pjesërisht nga deklarata e saj, duke pretenduar se fjalët e saj ishin nxjerrë jashtë kontekstit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë