Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj qëndrimit të qeverisë shqiptare pas deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka zgjedhur heshtjen përballë tyre.
Në një bashkëbisedim me qytetarët, Berisha tha se deklaratat e ministres serbe kanë shkaktuar reagime ndërkombëtare, ndërsa sipas tij, Tirana zyrtare nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim.
Kreu i PD-së e kritikoi ashpër Ramën, duke e akuzuar se po mban një qasje të afërt me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe se nuk po mbron interesat e shqiptarëve.
“Deklaratat e ministres monstër të Beogradit, me të cilat ajo dëshmon se zgjidhja më e mirë e problemeve ndëretnike është spastrimi etnik dhe gjenocidi, kanë marrë ndëshkim ndërkombëtar.
Kanë reaguar fuqishëm Komisioni Europian në zëdhënësin e saj. Ka reaguar për hir të së vërtetës edhe komisionerja për zgjerimin, zonja Kos. Ka reaguar fuqishëm zëdhënësi i Foreign Office, Ministrisë së Jashtme Britanike.
Por kanë reaguar për hir të së vërtetës dhe dhjetëra, dhjetëra deputetë dhe personalitete në vetë Serbi. Republika e Kosovës e ka shpallur non-grata. Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të turpit në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur si fija e barit. Dhe jo vetëm heshtur, por Edi Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit.
Ta kuptojnë shqiptarët mirë se ç’janë këta, ç’përfaqësojnë, që nuk pranojnë dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Dhe tani kur ministrja e Aleksandër Vuçiçit deklaron se duhej spastruar etnikisht Kosova, Edi Rama e quajti një çyryke. Ajo është një raciste e egër antishqiptare e cila në të gjitha ligjet e botës meriton dënimet më të rënda. Por Rama është argat i Vuçiçit, armik i egër i shqiptarëve dhe çështjes së tyre”, u shpreh Berisha.
Berisha foli edhe për protestën e zhvilluar në Tiranë, duke shprehur sërish mbështetjen e tij.Ai u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke thënë se “kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë” duhet të vijojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje