Mendim

Horrori vazhdon…

Nga Anila Hoxha* – Mendoni pak një njeri që ju as nuk e njihni, por dini që ai ka humbur dy të afërm në një akt vetëflijimi ende të panjohur se nga çfarë u shtynë. Në këtë tragjedi ai ndërkohë shpreson që e mbijetuara Blerta të kthehet mendërisht dhe fizikisht. Ky njeri sëbashku me të tjerët, pasi humbi Anisën dhe Zhaneten, u drejtohet sërisht autoriteteve. Veç dhimbjes , ai është i ngarkuar me një pako plot me prova që autoritetet, pra edhe policia edhe prokuroria, nuk i morën të plota nga tmerri që panë e kaluan në banesën e famljes Josifi. Nga neglizhenca. Ose sido që të quhet, është e pafalshme.
Prova që duhet të ishin marrë seriozisht, nëse shteti shqiptar ka ndërmend të hetojë seriozisht nëse ka apo jo sekte që influencojnë në mendjen e qytetarëve dhe i deformojnë derisa shkojnë tek thrilleri. Prova që administrohen një javë me vonesë dhe kur ndërkohë java iku me burokracira, asnjë i pyetur, asnjë veprim hetimor, asnjë kontroll kamerash edhe pse qytetarët vazhdojnë të më shkruajnë në Facebook duke më vënë në dijeni: “Zhani shpërndante fletushka deri në fund të 2018 pranë Unazës së Re”… “Zhanin e kemi parë te Selvia”… E të tjera.
Dua të di çfarë veprimesh konkrete ka kryer policia veç këqyrjes së banesës? Zero veprime. Çfarë veprimesh ka kryer prokurori? Zero veprime, asnjë kërkesë për përgjim, asnjë kontroll sallash të dyshimta… zero, zero, zero..
A nuk do të quhej e rëndësishme për hetimin broshura që e vetëdorëzoi i afërmi, ku gratë mësohen si të parandalojnë sëmundje e të vetëmjekohen?
A nuk do të ishte po aq i rëndësishëm emri Cinztanza … nga Holanda, bashkangjitur dhe numri i saj i telefonit?
A nuk do të ishte e rëndësishme fotografia e Anisës së bashku me gjashtë persona të paidentifikuar?
Blloku i shënimeve “Për Blertën nga ANI”?
Po kartvizita e një E.C., i cili është lider shpirtëror në një vend kulti në Tiranë?
Shënimet “Jeharah Shammah Zoti im”?
Po copat e letrave të shkruara me laps si përshembull “Prit është Refia në banëe… hapma derën kur të mundesh ose e hap unë, vetëm më thuaj… hapma çezmën… hajde… më duhet të rrish edhe një orë aty së këta tek Teoja janë aty…”?
Ka një sërë gjurmësh që gratë e vdekura dhe e mbijetuara kanë lënë. Sot mbushet një javë nga zbulimi i këtij horrori dhe ende nuk ka asnjë emër. Paaftësi për institucionet kur familja vazhdon të dorëzojë prova dhe ne ende nuk e dimë si quhet ky sekt që të çmend dhe të vret.
Vazhdoni flini, me atë gjumin që duhet t’ju ishte prishur para shumë vitesh kur fëmijë e adoleshentë i jepnin fund jetës dhe kur shume të tjerë ndërrronin jetë në duar mjekësh pasi nuk pranonin ndihmë.
Çfarë duhet të ndodhë ende? (*marrë nga profili i saj në Facebook)

Lajme të lidhura


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë