Ngjarje

Dëshmitë e ngjarjes tronditëse/ Vajza e vdekur prej muajsh, nëna dhe motra besonin te Ringjallja

“Se keni idenë çfarë kaluam ne për të fituar ringjalljen. Nëna vdiq, unë mbijetova”, ishin fjalët e para të Blerta Josifit, të mbijetuarës së vetme të ngjarjes makabër, ku nënë e bijë, Zhaneta Josifi, 56 vjeç dhe vajza Anisa Josifi 30 vjeç u gjetën pajetë në banesën e tyre në zonën e Kombinatit në Tiranë. 34-vjeçarja mundi të shpëtojë dhe u dërgua në spital. Policia në njoftimin zyrtar thotë se është njoftuar nga një i afërm që i ka marrë në telefon për ta lajmëruar së xhaxhai i tyre ka ndërruar jetë, por nuk i është përgjigjur asnjë nga familja Josifi, e cila i shmangej kontaktit me të apo dhe vizitave në shtëpi. Me të marrë denoncimin, policia ka hyrë nga dritarja e banesës me ndihmën e forcave zjarrfikëse.

“Menjëherë konstatuam të zonjën e shtëpisë të vdekur, një nga vajzat në gjendje kritike dhe në një ambient tjetër në krevat është gjetur e mbuluar me batanije dhe jorgan vajza tjetër. Po kryhen veprime në vendngjarje. Sipas ekspertit mjeko-ligjor dy viktimat nuk kanë shenja dhuna dhe dyshohet se janë vetëflijuar. Do t’ju njoftojmë konkluzionet e mjekut ligjor. Mendohet për një vetëflijim. Kemi gjetur shënime të ndryshme, me përmbajtje fetare. Të dy vajzat kanë qenë të arsimuara, por kanë qenë të papuna. Ka pasur shenja të mosushqyerjes në konstruktin e tyre”, tha për mediat drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi flet për mediat pas ngjarjes

Siç ndodh shpesh në raste të tilla, të parët që japin dëshmitë e tyre janë fqinjët. Mësohet se për gati 2 muaj kjo familje jetonte në izolim dhe nuk kishin asnjë kontakt me ta. I vetmi që interesohej për to ishte vëllai i Zhanetës. Muajin e fundit ata kanë dyshuar se brenda kësaj banese diçka kishte ndodhur për shkak të erës së rëndë të dekompozimit të trupit të 33-vjeçares, e cila shpërndahej në gjithë apartamentet, por kurrsesi nuk menduan se në pallat kishte një njeri të pajetë, pasi dyshonin se ishte për shkak të tubacioneve, madje ata njoftuan edhe bashkinë për këtë fakt.

“Ka qenë një familje model dhe gjynah që patën një fund të hidhur. Ishte një grua e shkëlqyer me vajza të shkolluara. Ata kanë punuar. Por nuk e di pse u mbyllën brenda. Kanë qëndruar mbi dy vite brenda. Motra vinte e vizitonte, herët e fundit nuk i përgjigjej dhe nuk i hapte derën. Unë jam interesuar edhe me bashkinë. I kanë sjellë ndihma. Nuk e di si përfunduan kaq keq. Kanë një motër, herë i dilte, herë nuk i dilte, Njëherë erdhi edhe policia. Ajo doli dhe tha që kemi disa punë tonat. Para tre javësh ka ardhur policia. Ka rreth 10 ditë qe erdhën ndihma. I thamë ne që duhet të marrësh. I thamë të fillonin punë. Anisën nuk e kam parë prej dy vitesh. Vajza nuk m’u duk në gjendje të keqe. E ëma ishte dobësuar shumë”, tha fqinja.

Akoma më misterioze situatën e bën edhe dëshmia e kunatit të Zhaneta Josifit, i cili është shprehur që nga muaji mars që nuk i shihte mbesat. “Kisha më shumë se 2 muaj që nuk i shihja fare Zhanetën dhe Blertën. I shkova në shtëpi kërkova Anisën dhe më thanë nuk e lëmë të dali se nuk ka bërë ditët e zotit. Anisën kisha që në mars të 2019 që nuk e shikoja fare. I kam folur dhe për punën e fesë, por me urrenin. Në fillim janë rekrutuar në Përmet pastaj librat i kanë marrë tek një qendër tek “Selvia”. Dy javë më parë shkova të takoja posaçërisht Anisën, por nuk më lejuan. Më ndaluan tek dera. Ato nuk ushqeheshin”, ka treguar ai.

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të hedhë më tepër dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, por në banesën e tyre grupi hetimor ka gjetur materiale të ndryshme jo vetëm libra fetarë, por dhe fletore shënimi ku pjesëtarët e familjes tregonin besimin dhe detyrimet që kishin marrë përsipër.

Dëshmitë e fqinjëve

“Kishte kohë që nuk e kemi parë Anisën të dalë nga shtëpia. Mbase javë”. Kështu e nis rrëfimin një fqinje e tre grave, dy prej të cilave nënë e bijë u gjendën të vdekura, ndërsa e treta Blerta Josifi u transportua me urgjencë në spital për t’i shpëtuar jetën.

“Mendojmë, pohoi për gazetën “Si” një ekspert i kriminalistikës se së paku prej disa javësh nga mos ushqyerja ka ndërruar jetë Anisa Josifi. Duke refuzuar ushqimin e dyta që ka humbur jetën nga kjo mënyrë e rrallë vetëflijimi është e ëma që dyshohet të ketë vdekur së paku dy ditë më parë, ndërkohë që femra e tretë që jetonte me to , përpëlitej mes jetës dhe vdekjes”.

“Vajzës i është dhënë asistenca dhe vlerat ushqimore në rrugë mjekësore”, tregoi një ekspert policie i cili këmbëngul se pavarësisht këtyre dyshimeve do të jetë fjala e mjekëve ligjorë që do përcaktojnë definitivisht shkaqet e vetëflijimit. Por, era e keqe në shtëpinë e tyre si edhe dekompozimi i trupit të më të resë tregon se ato e kishin vendosur të vdisnin duke i dhënë fund jetës me refuzimin e ushqimit. “Ato ishin të qeta në botën e tyre.

Ne përpiqeshim t’i ndihmonim, por ato refuzonin. Kishin kohë që frekuentonin fenë. Me prejardhje ishin nga Përmeti. Bashkëshorti i  Zhanetës ndërroi jetë dhe të treja nënë e bijë jetonin bashkë”, tregon një qytetare, e cila nuk di të tregojë saktësisht se për çfarë besimi bëhet fjalë dhe kur saktësisht ato hynë në besim.

Zhaneta dhe dy vajzat e saj kishin në shtëpi libra për ringjalljen pohoi shkurtimisht një ekspert policie, sipas të cilit duhet bërë kujdes për ta thënë paraprakisht besimin e tre grave.

“Por e vetmja që do të hedhë dritë veç ekspertizës mjeko-ligjore do të jetë edhe dëshmia e të mbijetuarës”, shtoi burimi policor i gazetës “Si” në komisariatin e Kombinatit.

Precedenti

Po përse policia po rezervohet të mos tregojë përfundimisht se për cfarë besimi bëhet fjalë? Jozyrtarisht thuhet se bëhet fjalë për “Dëshmitarët e Jehovait”, të cilët gjatë dy dekadave kanë patur jo pak raste vetëvrasjesh, kryesisht të adoleshentëve.

Pika kulmore e dhënies fund të jetës nga praktikantët e këtij sekti është shënuar rreth viteve 2004 deri në 2008, ku në Tiranë u raportuan edhe fëmijë që mendohej që u vetëvranë. Njëri prej tyre jetonte në zonën e Krrabës, ndërsa tjetri në Paskuqan. Por, katër muaj më parë, po në Tiranë ndërroi jetë një djalë i ri, forma e vetëvrasjes ishte e padëgjuar më parë në kryeqytet. Ai refuzonte ushqimin.

Pas përpjekjve të familjes, të cilët kishin njoftuar edhe psikologët për ndryshimin radikal të viktimës, i riu sipas burimeve të gazetës “Si”, u largua nga shtëpia. Ai u denoncua i larguar nga e ëma në polici dhe pas shumë kërkimeve, djali u gjet i pajetë nga mos ushqyerja në afërsi të zonës së Mjull Bathores.

Por kjo ngjarje u mbaj sekret në atë kohë dhe hetimet po vazhdojnë ende për t’i vendosur një emër se çfarë praktikonte viktima.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë