Analize

Historike, një shqiptar në krye të Komunës së Tuzit

Për herë të parë Tuzi, një komunë e vogël malore në Malin e Zi, do të drejtohet nga shqiptarët. Nik Gjeloshaj është tanimë zyrtarisht kryetari i dytë shqiptar në vendin fqinj, pas Nazif Cungut, kryetarit të Komunës së Ulqinit.

Triumfi historik erdhi pasi tre partitë shqiptarë në Mal të Zi vendosën të bëheshin së bashku nën moton “Malësia na Bashkon”. I konsideruar nga analistët si Emmanuel Macroni i Malësisë, 38-vjeçari, i cili ishte kthyer prej kohësh në një sfidë më vete për Podgoricë duke kërkuar më shumë të drejta për shqiptarët, ishte kandidati i përbashkët i koalicionit të tre partive: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar.

Duke premtuar forcimin e lidhjeve me Shqipërinë dhe rritjen e investimeve ekonomike , ai triumfoi me 3682 vota, ose rreth 50% të totalit. Gjeloshaj e ka nisur karrierën e tij politike si aktivist dhe ka formuar tanimë një parti mjaft energjike që përbëhet kryesisht nga të rinj dhe intelektualë.

Nik Gjeloshaj

Përballë tij, partia e presidentit malazez, Milo Gjukanoviçit (DSP) arriti të merrte 2490 vota, ose 31 % të totalit. Por rezultati zgjedhor i partisë qeveritare në vendin fqinj u kontestua mes akuzave për blerje votash. Në një video të publikuar nga një prej gazetarëve shqiptarë në Mal të Zi, zyrtarë të DSP-së shihen duke u dhënë banorëve nga 50 euro në këmbim të votës.

https://www.facebook.com/Ljiridon.Vuljaj/posts/3301287049883373

Fitorja e Nik Gjeloshajt, deputet që nga viti 2014 në parlamentin malazez është pritur me festime të mëdha në Tuzin e qetë. Kryetari i ri i kësaj komune tha se Tuzit aktualisht është në gjendje të mjerueshme për shkak të prapambetjes ekonomike dhe lënies së saj pas dore për një kohë të gjatë. Koalicioni shqiptar fitoi 16 nga 32 mandatet në këshillin komunal, por Gjeloshaj ka njoftuar mbrëmjen e të dielës se do të formojë një aleancë me Partinë Demokratike në Mal të Zi për të marrë shumicën absolute të këshillit (për të cilën i duhen edhe 1 mandat dhe në total 17).

Pas fitores, Gjeloshaj ka folur për prioritetet si kryetar i ri i komunës së Tuzit, por edhe marrjen e shumicës në këshillin komunal.

“Ajo çfarë është esenciale është se do të formojnë një administratë shqiptare, në të cilën do të flitet shqip. Do të nisim edhe planin e zhvillimit urbanistik, thithjen e investimeve të huaja, motivimin e diasporës, që të vijnë të investojnë këtu, hapjen e vendeve të reja të punës dhe normalisht të zhvillojmë infrastrukturën e komunës tonë”, u shpreh ai.

Gjeloshaj është i bindur se kur bashkohen shqiptarët nuk kanë nevojë për lider.

“Absolutisht që do të bëjmë bashkimin e gjitha subjekteve këtu me diasporën dhe do të përçojmë një mesazh për të gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha Gjeloshaj. Në garën për të parin e Tuzit, i cili ka marrë statusin e plotë të komunës së pavarur më 1 shtator të vitit të kaluar, 80 për qind e zonave malore që i takojnë kësaj komune mësohet kanë votuar pro shqiptarëve.

Ekspertët thonë se programi ekonomik i Geloshajt rezulton të jetë në fakt mjaft ambicioz. Për Gjek Gjonlekaj, plani i tij për të lidhur marrëdhënie të ngushta me kompanitë e mëdha në Shqipëri është i një rëndësie të madhe për të gjithë shqiptarët e Malit të Zi .

“Kjo do të ishte politika më e suksesshme ekonomike e Malësisë, sidomos tani kur Mali i Zi dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s. Marrëdhëniet e mira mes Malësisë dhe Shqipërisë kanë rëndësi jetike. Shqipëria në një të ardhme të afërt do të ketë mundësi të mëdha për ta ndihmuar Malësinë në të gjitha drejtimet. Kështu veprojnë kombet e tjera kur bie fjala tek mbështetja e pakicave kombëtare jashtë kufijve. Bile tani është detyrë e kombeve kjo ndihmë dhe po miratohet edhe nga ndërkombëtarët”, thotë eksperti. Sipas tij përparësia e politikës së Nik Gjeloshaj është përparimi ekonomik dhe se për këtë ai ka bashkuar rreth vetes njerëz të shkolluar dhe të ditur.

Por përse është Tuzi kaq i rëndësishëm dhe ku është misteri i kësaj qyteze? Në qoftë se Komunën e drejtojnë qytetarë që nuk flasin shqip, atëherë ajo nuk është komunë shqiptare. E gjithë lufta e Gjeloshajt dhe partive shqiptare ishte të merrnin Tuzin pasi kjo komunë është jetike për shqiptarët në vendin fqinj, duke u kthyer në simbol për kërkimin e më shumë të drejtave.

Vetë Gjeloshaj ishte treguar shumë i guximshëm në kohën kur Akademia e Shkencave e Malit të Zi kishte botuar disa studime për shqiptarët atje, me disa autorë serbë e malazezë që i përshkruanin shqiptarët si të ardhur e jo autoktonë.  Ai u ngrit në këmbë në mes te parlamentit dhe grisi studimin. Gjeloshaj ka realizuar disa vepra me rëndësi në Tuz, duke ndërmarrë disa projekte me shumë shqiptarë të Malësisë. Kohët e fundit është duke realizuar Projektin e Ujësjellësit të Hotit, një ndër veprat më të rëndësishme për Malësinë. Tanimë ai ka një mundësi të artë për bërë më shumë për të gjithë shqiptarët  e vendit fqinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë