Ne rrjet

Historiani serb: Politika jonë s’ka guxim të zgjidhë çështjen e Kosovës

Milan S. Protiç, historian dhe diplomat karriere në ish-Jugosllavi dhe më vonë në Serbi, akuzon klasën politike në Beograd për mungesë guximi dhe papjekuri në përpjekjen e saj për zgjidhjen e problemeve me Kosovën.

Në një intervistë të gjatë dhënë për Deutsche Welle, Protiç nënkupton mes rreshtave se Serbia e ka humbur Kosovën dhe kërkon që debati të kanalizohet në një tjetër llogore; për Republikën Srpska në Bosnje.

“Mbi parimin e vetëvendosjes së popullit, një komb një shtet, është shkatërruar ish-Jugosllavia. Argumenti kryesor i shqiptarëve në Kosovë është këmbëngulja e krijimit të shtetit pikërisht mbi këtë bazë. Sipas motos: nëse mund ta bëjë njëri, pse të mos e bëjnë edhe të tjerët? Ndaj mendoj se ky është një parim, i cili në Ballkan nuk mund të shmanget dhe deri sa ai nuk realizohet, nuk mund të ecet përpara. Nëse statusi i Kosovës ka mbërritur deri në nivelin kur shtrohet vetëm dilema nëse Serbia do të njohë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, atëherë më duket e natyrshme që kjo të balancohet me të drejtat e serbëve në Bosnje-Hercegovinë për vetëvendosje. Pra njësoj si edhe e drejta e shqiptarëve”, deklaron ai.

Protiç e di që kjo është një temë delikate për Perëndimin, por thotë se detyra e Serbisë është ta shtrojë si argument dhe të ketë durimin e të presë që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë këtë argument.

Nga ana tjetër, Perëndimin e akuzon për hipokrizi.

“Ata nuk kërkojnë nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës, por na ofrojnë një të ashtuquajtur marrëveshje të detyrueshme juridike. Pse na ofrojnë diçka të tillë? Mua më duket se ata janë të vetëdijshëm se njohja e Kosovës nga Serbia do t'ia zgjidhte duart Serbisë për realizimin e interesave të saj, ndërsa oferta për marrëveshje është një zgjidhje tipike formale perëndimore”, deklaron më tej.

Qëndrimet e Beogradit zyrtar se në Uashington ka ndryshuar politika dhe qëndrimi karshi Serbisë i quan iluzion dhe papjekuri të diplomacisë dhe gjithë politikës vendase.

“Fuqitë e mëdha nuk e ndryshojnë politikën e tyre, ose e ndryshojnë me shumë vështirësi. Nuk ka asnjë shenjë se SHBA e ka ndryshuar politikan ndaj Ballkanit, e në këtë kuptim pra as qëndrimin ndaj Kosovës. Ne në krye të diplomacisë kemi një Daçiç, i cili nuk e di asnjë fjalë anglisht, për të cilin politika në Uashington është më e panjohur se sipërfaqja e Marsit”, shprehet Protiç.

Historiani serb është i mendimit se gjysmëmilionë dollarët që Qeveria vendase thotë se ka ndarë për lobimin në Shtëpinë e Bardhë nuk pijnë ujë.

“Është gati e pamundur që me para të ndryshoni politikën amerikane. Politika amerikane nuk mund të blihet. Lobimi shërben për diçka tjetër. Ajo që mund të bëhet është prezantimi i argumenteve të shëndosha politike para opinionit përmes njerëzve me influencë, e për këtë nuk nevojiten para, por shkathtësi”, thotë ai.

Milan Protiç thotë se nëse Serbia vazhdon të ruajë këtë qëndrim, sipas tij, të paqartë për interesat e saj atëherë rrezikon që të humbasë edhe mbështetjen e Rusisë dhe flet me bindje kur thotë se Moska, edhe zgjidhjen e përfundimtare të çështjes së Kosovës do ta shfrytëzojë për interesat e saj.

Burimi: DW


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë