Sport

Historia e xhudistit italian, kërkon të përfaqësojë Shqipërinë, por federata nuk di gjë

Jemi mësuar shpesh që shumë sportistë shqiptarë thuajse në të gjitha disiplinat të garojnë në evenimente ndërkombëtare për shtete të tjera për shkak të mungesës së mbështetjes nga instancat e vendit tonë. Por historia e xhudistit italian, Marko Maddaloni është krejtësisht e ndryshme. Sportisti 34-vjeçar ka shprehur dëshirën që të garojë në kampionatin e ardhshëm botëror “Japoni 2019” nën flamurin shqiptar. Në disa intervista për gazetat italiane, Madaloni ka thënë se do të marrë pjesë në kampionatin botëror për Shqipërinë.

"Nga sot unë filloj përgatitjet për kampionatin botëror në Japoni që do të jetë një shtator, ku do të garoj për Shqipërinë. Nuk është që do të mbroj flamurin shqiptar, sepse unë jam napoletan dhe italian në zemër. E di që kam 34 vjet mbi shpinë dhe pesë në ligamentet e gjurit, por Shqipëria më ka dhënë mundësinë për t’u tërhequr me buzëqeshje nga ky sport.”

Nga verifikimet e bëra, rezulton që Madaloni të ketë marrë nënshtetësinë shqiptare në muajin tetor të vitit 2018. Kjo dëshirë e tij mbetet e paqartë deri në fund, pasi janë disa pika që nuk përputhen dhe disa dyshime që ngrihen. Së pari Madaloni thotë në intervistat e tij se ka folur me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Xhudos, të cilët sipas tij i kanë dhënë miratimit që ai të bëhet pjesë e ekipit kuqezi të xhudos. “Tre vjet më parë më duhej të tërhiqesha pasi kisha disa keqkuptime me presidentin e federatës italiane. Më pas u takova me presidentin e Federatës Shqiptare të Xhudos, i cili më dha nënshtetësinë për merita sportive dhe kam vendosur ta përfaqësoj këtë shtet. Duhet ta rimarr dinjitetin tim", është shprehur Maddaloni në një intervistë për mediet në Itali.

Së dyti, ky pretendim i Madalonit që ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e federatës së xhudos në Shqipëri, nuk pranohet nga sekretari i kësaj federate Labo Çapo. Ky i fundit duke folur për “Gazeta Si” tha se deri më tani nuk pasur asnjë akord apo marrëveshje mes sportit italian dhe federatës, që ai të mund të marrë pjesë në kampionatin botëror të Japonisë si pjesë e ekipit kombëtar të Shqipërisë. “Deri tani tek ne nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga sportisti në fjalë që të marrë pjesë në kampionatin e ardhshëm me flamurin e Shqipërisë. Ai nëse ka marrë pasaportën mund të vijë tek dhe të kërkojë që të lidhim një kontratë bashkëpunimi dhe lirisht mund të bëhet pjesë e ekipit tonë që do të garojnë në kampionatin botëror, në jemi të hapur. Por kjo gjë nuk mund të bëhet pa respektuar rregullat. E konfirmoj se sportisi italian Marko Madaloni deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt me Federatën Shqiptare të Xhudos”, tha Çapo.

Përtej këtij mosakordimi deklaratash, për çështjen e Madalonit ngrihen të tjera dyshime. Disa burime thanë për “Gazetën Si” një tjetër version për këtë histori të sportisit italian që merr pasaportën shqiptare me pretendimin zyrtar se do të garojë në kampionatin botëror të Xhudos në Tokio. Sipas tyre pas kësaj historie ka shumë gjasa që të fshihen interesa personale të italianit që kanë të bëjnë me bizneset e tij, më shumë se sa më sportin. I pyetur nga “Gazeta Si” për këtë vendim të tij për të përfaqësuar Shqipërinë në kampionat, Madaloni nuk pranoi që të prononcohej. Në kushtet kur Madaloni shprehet i sigurtë se do të përfaqësojë Shqipërinë në kampionatin botëror dhe nga Federata Shqiptare e Xhudos nuk kanë dijeni, e vetmja që mund të hedhë dritë për këtë çështje është koha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë