Futboll

Historia e Laçit dhe milionat e Kukësit

Të vetmet përfaqësuese të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare janë Kukësi dhe Laçi. Verilindorët vijojnë aventurën e tyre në Ligën e Kampionëve, pas kualifikimit me shumë vështirësi përballë FC.Valleta. Ndërsa Laçi ka marrë një fitore të çmuar përballë Anorthosis, duke shkruar historinë dhe kalon në raundin e dytë të Ligës së Europës.

Pas këtij suksesi të parë, për të dyja skuadrat vjen dhe momenti i gëzimit ku mund të fillojnë të bëjnë llogaritë për përfitimet që do të kenë. Me diferenca, për shkak të kompeticoneve të ndryshme, por si për Laçin edhe për Kukësin të hollat janë të konsiderueshme dhe do i’u japin atyre një dorë të rëndësishme për të ndërtuar skuadra akoma më të forta sezonin e ardhshëm.

Kukësi dhe milionat e “Champions”

Skuadra verilindore është në raundin e dytë të Ligë së Kampionëve për herë të parë në historinë e saj. Një vit më parë, kur debutonte në “Champions”, Kukësi nuk arriti ta kalonte fazën e parë, asokohe me Ernest Gjokën në stol. Këtë vit Kukësi deri më tani ka fituar 280 mijë euro, që shpërndahen nga UEFA për pjesëmarrjen në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Pas triumfit me Valeta, nën kampionet kanë siguruar edhe 380 mijë euro të tjera, që UEFA i shpërndarë për skuadrat që kalojnë në raundin e dytë. Me këtë kualifikim, Kukësi minimalisht ka siguruar në konton e tij një shumë minimale prej 940 mijë euro, por kjo mund të shkojë edhe më tepër nëse shkon në “play of” të Ligës së Kampionëve.

Në rast të kalimit në “play of” të Ligës së Kampionëve, verilindoret do të përfitonin 300 mijë euro të tjera, pra, në total 960 mijë euro. Nëse Kukësi luan në play of-in e “Champions”, ai automatikisht ka prerë biletën për në fazën e grupeve të Ligës së Europës, aty ku përfitimet do të ishin kolosale për një klub shqiptar dhe këtu shembulli i Skënderbeut është ende i freskët. Por në rast eliminimi në raundin e dytë të “Champions”, Kukësi do të kalonte automatikisht në “play of” të Ligës së Europës, ku sigurisht do siguronte fitim prej 940 mijë eurosh.

Pra sido që të shkojë aventura e mëtejshme e Kukësit këtë verë në Europë, Safet Gjici tashmë e ka siguruar një sasi të konsiderueshme të ardhurash. Në raundin tjetër Kukësi do të përballet me Karabakun e Ansi Agollit që sezonin e fundit luajti në grupet e Ligës së Kampionëve.

Laçi në kërkim të historisë në Ligën e Europës

Më atë gol në minutën e 88’ të Myrto Uzunit për Laçin nisi festa. Klubi kurbinas siguroi kalimin në raundin e dytë eleminator të Ligës së Europës. Bashkë me gëzimin e madh dhe suksesin historik, për Laçin tashmë vijnë edhe përfitimet financiare, që për hir të së vërtetës janë goxha të majme. Deri më tani Laçi ka garantuar një përfitim prej 240 mijë eurosh, që UEFA i shpërndan për të gjitha klubet që luajnë në turin e parë të “Europa League”. Me pjesëmarrjen në truin e dytë të Ligës së Europës, Laçi ka siguruar edhe 260 mijë euro të  tjera, çka do të thotë gjysmë milioni euro përfitime deri më tani për ekipin e Pashkë Laskës.

Laçi në raundin tjetër do të luaj me Molde-Glenavon, një skuadër jo në listën e ekipeve më të forta, që me shumë punë dhe përqendrim mund të kalohet. Në rast të tillë do të shtoheshin edhe më shumë përfitimet për Laçin, pasi do të merrte edhe 280 mijë euro të tjera.

Përfitimet nga shitjet e lojtarëve

Nën shembullin Skënderbeut, këto dy klube do të kërkojnë një tjetër mënyrë përfitimi. Kukësi dhe Laçi do provojnë që të vjelin të ardhura edhe nga nxjerra në treg e disa prej futbollistëve më të mirë të tyre. Kukësi e ka listën gati me ata futbollistë që mund të sjellin para në arkën e klubit. Zguro, Çyrbja apo edhe Rrumbullaku janë vetëm disa nga lojtarët që mund të shiten jashtë vendin gjatë muajit të ardhshëm. Vlen për t’u theksuar se Kukësi tashmë e fituar një eksperiencë me shitjet e lojtarëve, pas kalimit të Sindrit Gurit në Belgjikë për 730 mijë euro. Edhe Laçi që është i mbushur me talente do të provojë të shesë për herë të parë disa nga “xhevahiret” e tij dhe i pari në listë është pa dyshim, Myrto Uzuni. Por edhe të tjerë si Jonuzi apo Selmani mund të shiten për shuma të konsiderueshme nga kurbinasit gjatë periudhës së mbetur të merkatos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë