Ngjason me historinë e Hirushes, por me një ndryshim se këtë herë ai është një futbollist dhe jo një pastruese. Alphonso Davies është futbollisti më i ri Bayern Munich. Ai gjatë verës firmosi me gjigantin bavarez për një shifër rekord prej 16 milionë eurosh. Kjo është shifra më e lartë që i është paguar një klubi në Amerikën Veriore në futboll dhe mjaftojnë paratë për të treguar shumë për cilësitë e tij, por jo shumë për jetën e Alphonso-s.
Davies ende nuk i ka mbushur 18 vjeç, por me cilësitë që ka treguar me topin e rrumbullakët, premton të bëhet një nga më të mëdhenjtë e këtij sporti. Por jeta e 18-vjeçarit kanadez me origjinë nga Liberia nuk ka qenë kaq e thjeshtë. Me dy prindërit nga Liberia, Alphonso Davies ka lindur në një kamp refugjatësh në Ganë.
Me siguri 17-vjeçari nuk e mban kohën kur ka qenë në kampin e refugjatëve në Ganë, por babai i tij, po. Ai tregon se sa e veshtirë ka qenë jeta e tyre në atë periudhë në atë rajon të trazuar nga lufta.
Prindërit e tij Victoria dhe Debeah u larguan nga qyteti i tyre Monrovia në Liberi, duke jetuar për një kohë të gjatë në një kamp refugjatësh në Ganë. Pas disa viteve në kamp, ata vendosën që të udhëtojnë për në Kanada, pas një mundësie të mirë që iu paraqit për të pasur një jetë të re.
“Ka qenë shumë e vështirë që të mbijetojë në atë rajon në ato kohë, të paktën nëse nuk mund të përdorje një arme. Por unë dhe bashkëshorti im nuk kemi qenë ndonjëherë pasionant i armëve dhe marrjes së jetës të njerëzve të tjerë, kështu që vendosëm të largohemi për të shpëtuar fëmijët tanë.”- rrëfen nëna e Alphonso-s, Victoria.
Kur Davies ishte 5 vjeç familja e tij mbërriti në Edmonton të Kanadasë. Vetëm 2 vite më vonë ai u përfshi në një skuadër futbolli dhe që nga ai moment historia për këtë familje ndryshoi totalisht. Ishte drejtori i akademisë, “St. Nicholas Soçer Academy”, Marco Bossio ai që pikasi i pari talentin e Alphonso-s dhe aty ai tregoi gjithë potencialin e tij, duke e treguar shumë herët që mund të bëhet një futbollist i madh.
“Që ditën e parë që ai erdhi këtu, unë dhe të gjithë trajnerët e akademisë e dinim, që ai do të na bënte krenar një ditë.”- thotë Bossio.
Më pas kur ishte vetëm 15 vjeç u grumbullua në ekipin Under-19 të Kanadasë, ku shokët e tij të skuadrës, pjesa më e madhe ishte 3 ose katër vjeç më të mëdhenj se ai. Por përtej këtij grumbullimi, për Alphonso Davies ky ishte një moment shumë i bukur, pasi mori nënshtetësinë kanadezë, çka do të thoshte një moment krenarie për të dhe familjen e tij që kishte sakrifikuar aq shumë.
Davies është pjesë e një brezi të ri që Kanadaja po mundohet të formojë, në mënyrë që për herë të parë që nga viti 1986 të marrë pjesë në një kampionat botëror. Verën e shkuar ai siguroi kalimin nga ekipi Whitecaps FC 2 te Vancuver Fc, që është një nga skuadrat më të forta në Kanada. Por nuk ishte kjo e gjitha, pasi në një vit talenti i Davies doli në pah dhe ai u thirr në kombëtare nga trajneri John Herdman, duke u bërë kështu lojtari më i ri që ka luajtur me këtë kombëtare.
Dhe intuita e trajnerit të Kanadasë për ta thirrur në përfaqësuese edhe pse në moshë të vogël nuk ishte e gabuar. Deri më tani ai ka shënuar 3 gola në 7 ndeshje, duke u bërë gjithashtu edhe shënuesi në moshë më të re në një ndeshje ndërkombëtare për kombëtaren e Kanadasë.
Kjo formë e tij me skuadrën e Kanadasë, por edhe agjentët në kampionatin amerikan bënë që në verën e këtij viti, Alphonso Davies të blihej nga kampionët e Gjermanisë, Bayern Munich. Ai do të kalojë në Bavari në muajin janar të vitit të ardhshëm, ku ka firmosur një kontratë deri në vitin 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.