Menaxhim

Hiqet kontrolli fizik i makinës kur ndërron pronësia, Rama: Qytetarët kursejnë 90 mln lekë

Detyrimi i kontrollit fizik të automjeteve kur ndryshohet pronësia do të hiqet përfundimisht. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ku sipas tij, do të  eliminohen 60 mijë kontrolle fizike të automjeteve në vit dhe u kursehen qytetarëve 90,000,000 lekë e 30,000 orë pritje në vit.

Rama u shpreh se “puna flet vetë ndërsa llafet e gojëve të shthurura dhe baltën e mendjeve të mbrapshta vijnë e ikin me erën”.

Kreu i qeverisë, thotë se falë rimarrjes në administrim shtetëror këtë vit të Kontrollit Teknik dhe ndërveprimit të sistemeve informatike, certifikata e kontrollit të DPSHTRR heq përfundimisht detyrimin e kontrollit fizik të makinës kur ndërron pronësia.

Ndërkohë, që nga fillimi i vitit 2021, me një vendim të qeverisë, në ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor, Kontrolli Teknik i Automjeteve është i parashikuar të bëhet 1 herë në dy vjet.

Nga ky vendim, përjashtohen makinat e vogla, që përdoren si taksi, si dhe ambulancat, furgonët, autobusët dhe mjete të tjera transporti pasagjerësh dhe mallrash.

Ndërsa duke filluar nga janari i vitit 2022, të gjitha automjetet që kalojnë Kontrollin Teknik, do të kenë të shënuar në certifikatë edhe kilometrat reale të tyre, duke shmangur kështu manipulimet e mundshme që mund të jenë bërë nga tregtarët.

Në certifikatën e kolaudimit të automjetit do të përfshihet edhe numri i saktë i kilometrave totale që ka përshkuar një makinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë