Futboll

Higuain, Caldara dhe Bakayoko, Gattuso e ka gati boshtin e skuadrës

Milani i kësaj vere, mund të thuhet se ishte një nga enigmatikët dhe më të çuditshmit. Klubi kuq e zi në fillim të kësaj vere dukej tërësisht i pashpresë. Me dënimin nga UEFA që e përjashtoi nga Kupat e Europës me rrezikun për një kolaps financiar, tifozët e Milan ishin shumë të frikësuar dhe i druheshin më të keqes për skuadrën e tyre.

Por për Milanin u ndez drita në fundit të tunelit dhe ajo quhet “Elliott”. Grupi amerikan në tregun bankar mori në zotërim 7 herë fituesit e Ligës së Kampionëve dhe menjëherë rezultatet e para filluan të shfaqen. Milan fitoi gjyqin në KAS dhe mund të luaj në Kupat e Europës këtë vit dhe garancia për të fituar këtë betejë ishin pronarët e rinj amerikan.

Drejtuesit e rinj nga brenda “shtëpisë”

Bazat për një Milan të ri dhe të ndryshëm nga ai që ndërtuan kinezët filluan nga struktura drejtuese. Bëhet fjalë për dy rikthime të bujshme në “Cassa Milan”. Leonardo dhe Maldini janë dy njerëzit që kanë marrë në dorë fatet sportive të kësaj skuadre duke rritur akoma dhe më shumë besimin. Një legjendë si Maldini dhe një figurë e spikatur si braziliani Leonardo, filluan punën për të bindur tifozët se projekti i “Elliott” është serioz dhe ka ndërmend të ngrejë një klub të madh. Pas disa rinovimesh dhe huazimesh të lojtarëve që nuk ishin në planet e Gattuzos, Maldini dhe Leonardo filluan me blerjet.

Goditjet në merkato

Blerja më e bujshme, ashtu siç ndodh zakonisht erdhi në repartin e sulmit. Argjentinasi Gonzalo Higuain pasi la Juventusin, vendosi të veshë fanellën kuq e zi dhe tashmë ky repart pritet të jetë më i stabilizuar në krahasim me vitin e shkuar, ku golat munguan. Edhe pse Higuain kudo që shkon eklipson, Milan ka bërë edhe disa blerje të rëndësishme në këtë merkato. Për të filluar me Bakayoko, Castillejo, Caldara dhe Laxalt. Por edhe blerjet në epokën kineze, si Reina, Haliloviç dhe Striniç nuk duhen lënë jashtë vëmendjes, pasi mund të kthehen lojtarë të rëndësishëm për ekipin e Gattuzos. Një pjesë e mirë e këtyre blerjeve janë të projektuara si titullarë, për më tepër që Milan këtë sezon luan edhe në Europë dhe do të ketë nevojë për një numër të lartë futbollistësh.

Boshti Caldara, Bakayoko, Higuain

Në tetë blerje të Milan, vetëm një mund të koutohet si lojtar i nivelit botëror edhe pse mosha e tij nuk është më e njëjta. Në pritje të kolaudimit të fashave anësore me Laxalt dhe Castillejo, trajneri i Milan Genaro Gattuso e ka gati boshtin e skuadrës. Caldara që zëvendëson Bonuçin, Bakayoko që zëvendeson Biglia dhe Higuain që zëvendeson. Praktikisht tekniku kuq e zi e ka gati boshtin e ri të skuadrës që do të ketë në dispozicion për sezonin e ri që Milan do e fillojë me vonesë për shkak të shtyrjes së ndeshjes me Sampdoria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë