Dosje

Hetimet për atentatin në Milot/ Plumbat nuk depërtuan brenda makinës, gjenden 108 gëzhoja

Gazeta Si - Dy ditë pas atentatit në Milot, ku u vra një iri dhe mbeti i plagosur një tjetër, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 12 persona, që dyshohet se mund të kenë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes.

Por sipas burimeve paraprake, dëshmia e tyre nuk ka qenë e mjaftueshme për të shkuar në gjurmët e autorëve të krimit.

Në vendin e ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar 108 gëzhoja kallashnikovi, çka tregon se ka pasur një intesisitet të lartë të goditjeve në drejtim të automjetit fouristradë “Land Chrysler”, në të cilin udhëtonin Klisman Preçi dhe Ylli Brahimi.

LEXO EDHE:
Kronologjia e atentatit që tronditi Milotin mbrëmjen e së premtes

Sipas informacioneve, plumbat nuk kanë depërtuar brenda makinës së blinduar, por 27-vjeçari Preçi, i cili u qëllua i pari, ka zbritur nga makina dhe është prekur nga breshëria e armës, çka i shkaktoj plagë vdekjeprurëse.

Në ato momente edhe Ylli Brahimi ka hapur derën dhe ka tentuar të dalë nga mjeti në të cilin ishte si pasagjer, por përballë të shtënave pa ndërprerje që kanë zgjatur rreth 5 minuta, ai ka hyrë sërish në makinë për të gjetur mbrojtje dhe vetëm 2 plumba e kanë prekur në bark dhe këmbë.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve në afërsi të të cilave ka ndodhur ngjarja, të cilat janë dërguar në Tiranë për verifikim.

Janë kontrolluar dhe administruar pamje filmike të subjekteve përreth vendit ku ka ndodhur ngjarja si dhe të rrugëve nga ku dyshohet se mund të kenë lëvizur në ardhje e largim autorët e dyshuar.

Sa i përket viktimës dhe të plagosurit, kjo nuk ishte hera e parë që ndaj tyre kryhej atentat.

Klisman Preçit i është bërë atentat në maj të këtij viti në dalje të qytetit të Lezhës, teksa udhëtonte me makinën “Mercedes-Benz ML” së bashku me kushëririn e tij Blerim Preçi. Ata u qëlluan me armë nga një makinë në lëvizje. Ai dhe kushëriri i shpëtuan paq atentatit.

Ndërsa Ylli Brahimit i është bërë atentat edhe në Janar të vitit 2021. Ai mbeti i plagosur në këmbë, pasi u qëllua nga dy persona që udhëtonin me motor.

Për këto dy ngjarje të para disa kohëve nuk ka asnjë autorë. Brahimi është nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës, pasi ka marrë dëmtime në brinjë dhe në këmbë.

Sipas informacioneve, atentatorët kanë qenë të paktën dy persona të armatosur dhe të maskuar. Ata kanë ndjekur objektivin e tyre duke i qëlluar në lëvizje deri sa kanë zbritur nga makina e blinduar me targa të Shkupit të Maqedonisë së Veriut poshtë banesës së Preçit dhe janë larguar me shpejtësi me makinën e tyre.

Pas ngjarjes, një makinë u gjetur duke u djegur në fshatin Gramëz në Krujë, e cila besohet e u përket autorëve pasi në brendësi ka pasur dy armë kallashnikovi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë