Ka ndodhur

Kushërinjtë i shpëtojnë një atentati në Lezhë, njëri prej tyre ishte kthyer nga Belgjika

Gazeta Si - Dy të rinj, kushërinj me njëri-tjetrin, i shpëtuan një atentati me armë mbrëmjen e së shtunës në dalje të qytetit të Lezhës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20 e 05 minuta në rrethana ende të paqarta, kur automjeti “Mercedes Benz” me të cilin ata po udhëtonin ishte në lëvizje.

Dëshmitarët thanë se një person ende i paidentifikuar qëlloi me pistoletë nga sedilja e pasme e një “Audi”.

Policia tha se në “Benz”-in ndaj të cilit u qëllua, udhëtonin 28-vjeçari Blerim Preçi dhe kushëriri i tij, Klisman Preçi.

Sapo dëgjoi të shtënat 28-vjeçari është hedhur nga makina dhe mjeti ka ecur për inerci derisa ka dalë nga rruga. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Ai ka dalë nga makina i tronditur psikologjikisht dhe i bërë me gjak, ndërsa pyet nëse ka plumba në kokë.

Blerim Preçi kishte pak ditë që ishte kthyer nga Belgjika dhe një nga pistat ku po hetohet është e shkuara e tij dhe aktiviteti i tij.

Burimet bëjnë me dije se nuk përjashtohet pista e hetimit për konflikte droge mes grupeve rivale.

Policia ngriti postblloqe ne akset Lezhë-Laç dhe Lezhë- Shkodër, por autoret mësohet se u larguan me herët në drejtim të Milotit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë