Ka ndodhur

Atentat në Milot, një i vdekur dhe një i plagosur

Gazeta Si - Tronditet Miloti. Dy persona janë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qendër të këtij qyteti, në makinën e tyre. Njëri prej tyre, Klisman Preçi, 28 vjeç, ka ndërruar jetë, teksa po transportohej për në spital.

I plagosur rëndë ka mbetur shtetasi Ylli Brahimi, i cili është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë. Preçi dhe Brahimi janë qëlluar nga persona ende të paidentifikuar nga një automjet tjetër.

Nga vendi i ngjarjes. Gazeta Si, 22 korrik 2022

Janë të dy persona me precedentë të mëparshëm penalë dhe ndaj të dyve janë bërë atentate edhe më parë. Banojnë në të njëjtin pallat.

Policia ndodhet në vendgjarje dhe ka nisur hetimin për shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Makina tip "Land Chrysler" i blinduar, me të cilën udhëtonin Preçi dhe Brahimi, ndodhet ende aty, pasi po bëhet ekspertiza. Policia ka blinduar edhe Spitalin e Traumës, ku ndodhet Ylli Brahimi.

Në fshatin Gramze të Krujës ndërkohë është gjetur një automjet tip "Audi" i djegur, që dyshet se mund të jetë i atentatorëve. Brenda saj është gjetur dy armë automatike të llojit kallashnikov.

Burime të policisë dhe prokuroria bëjnë me dije se viktima ka udhëtuar me automjetin e tij. Ka mbërritur në oborrin e banesës së Ylli Brahimit. Në momentin kur janë takuar tek automjeti ata janë gjendur në një breshëri kallashnikovi nga një tjetër automjet që është larguar me shpejtësi.

Policia dhe prokuroria kanë dyshime se viktima është ndjekur nga atentatorët që nga momentin kur ka dalë nga banesa e tij edhe ka rënë pre e këtij atentati.

Brahimi i ka mbijetuar një tjetër atentati në vitin 2021, kur u qëllua me breshëri me rreth 15 plumba nga një motor nga dy persona të maskuar. Ai rezulton të ketë dhe njohje shumë të afërta me Bujar Likën, i ekzekutuar në autostradë në afërsi të Laçit, ku mbeti i vrarë edhe biznesmeni Paulin Gjergji Marku. Kjo njohje me Bujar Likën është një tjetër pistë e re, ku po heton policia dhe prokuroria.

Besohet se kohët e fundit, përpara se t'i mbijetonte atentatit në maj të këtij viti, ka pasur një konflikt me një biznesmen të njohur nga zona e Burrelit. Pra, është edhe kjo pistë duke u hetuar. Duke zhdukur provat dhe përmes korrupsionit ia kanë arritur t’ia hedhin drejtësisë. Ylli Brahimi dhe Klisman Preçi janë personazhe të njohur botës së krimit.

Njoftimi i Policisë

Në qytet Milot, në sheshpushimin e një pallati, rreth orës 21:00, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip fuoristradë “Land Chrysler”, brenda të cilit ndodheshin shtetasit K. P., 28 vjeç dhe Y. B., 46 vjeç, banues në Kurbin, të cilët janë dërguar në Spitalin e Traumës, në Tiranë. Shtetasi K. P. ka ndërruar jetë.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Gjithashtu, nga forcat policore të Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë, me mbështetje edhe nga grupet e FNSH Shkodër, po bëhet krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit/ëve.

Janë ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës.

Në fshatin Gramëz, rrethi Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet, që dyshohet se është automjeti i përdorur nga autori/ët për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale. Nga kqyrja paraprake, brenda tij, janë gjetur 2 armë zjarri kallashnikovë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdon veprimet hetimore, duke administruar çdo provë, pamje filmike, informacion si dhe dëshmi, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë