Ka ndodhur

Të shtëna me armë zjarri në Milot, plagoset 45-vjeçari

Një person është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Milot.

Policia thotë se rreth orës 12:10 në rrethana të paqarta është plagosur shtetasi Ylli Ibrahimi.

45-vjeçari është transportuar menjëherë në spital ku po merr mjekimin.

“Rreth orës 12:10, në Milot, Kurbin, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi Y.I., i cili është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ende nuk janë qartësuar rrethanat e plota të kësaj ngjarje, nëse 45-vjeçari është qëlluar nga dikush tjetër apo është vetëplagosur.

Policia thotë se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Kurbin dhe FNSH-së  po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, përfundon njoftimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë