Rend dhe Ligj

Hetimet pas tërmetit, Çela zbret në Durrës dhe paralajmëron arrestime

Një ditë pasi mori detyrën, Kryeprokurori i ri, Olsian Çela, zbriti në terren për të ndjekur nga afër hetimin që po zhvillohet pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

Në një prononcim për mediat pasi takoi prokurorët e Durrësit, Çela tha se reagimi i Prokurorisë do të jetë i prerë për ata që do dalin përgjegjës për tragjedinë e 26 nëntorit.

Olsian Çela në prononcimin për mediat

“Është krijuar një grup i posaçëm hetimor. Nga hetimi po dalin dhe probleme të caktuara me legjislacionin në fuqi. Nga hetimi mund të dalin ndryshime edhe në ligj. Ka njerëz që kanë shkelur ligjin, përgjegjësia do të shkojë atje ku është. Nuk do të ketë përjashtim për asnjë rast. Nga ana jonë u është ofruar prokurorëve mbështetje e plotë.  Ne po ashtu do të garantojmë pavarësinë e tyre. Puna e bërë është e mirë, prokurorët janë të motivuar”, tha ndër të tjera Olsian Çela, duke paralajmëruar kështu edhe arrestime.

Gjithsej janë katër Prokurori që po hetojnë, ajo e Durrësit, Tiranës, Laçit dhe Krujës. Por, shefi i ri i organit qendror të akuzës shkoi në Prokurorinë e qytetit bregdetar mëngjesin e kësaj të shtune, atje ku bilanci i tërmetit të 26 nëntorit ishte edhe më i rëndë, 51 viktima, qindra të plagosur, por edhe dëme të jashtëzakonshme materiale.
Shtatë prokurorë në Durrës janë ndarë në dy grupe. Grupi i parë po heton si një të vetme 7 hotelet, pallatet dhe shtëpitë që u shkatërruan 2 javë më parë dhe nën rrënoja pati viktima. Ish-Vila Palma, Mira Mare, Kavalishenca, Ish-Tropikali, pallati 6 katëshit pranë stadiumit të Durrësit, ndërtesës 4-kateshe të familjes Lala dhe godina te zona e “Dy Gjelave” janë në një dosje të prokurorëve të Durrësit.

Tërmeti në Durrës


Ndërkohë, grupi i dytë i prokurorëve në Durrës po heton për dhjetëra godina që janë planifikuar se do të shemben, pasi janë klasifikuara të rrezikshme për të banuar dhe janë listuar për t’u shkatërruar.
Një ditë më parë, pasi mori detyrën nga Arta Marku, deklarata e parë e Çelës ishte ajo për situatën në vend pas tërmetit të 26 nëntorit, ku bëri edhe premtimin.


“Sot vendi po përballet me një krizë të madhe për shkak të ngjarjeve të ndodhura në fund të muajit nëntor. Përgjigjja që duhet të japë Prokuroria në rastin konkret duhet të spikasë në raport me institucionet e reja. Sot njerëzit kërkojnë drejtësi. Sot kërkohet që të bëhen gjëra konkrete. Në këtë fatkeqësi për vendin, njerëzit presin nga ne që të vihet drejtësi në vend. Jam i bindur që do të bëjmë një punë të mirë. Çdo gjë nuk shkon vaj, ndryshimet janë pozitive. Kam besimin që vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë”, tha ndër të tjera Olsian Çela.

Pasojat e tërmetit në Thumanë


Ndërkohë, përveç Prokurorisë së Durrësit, po hetojnë edhe 3 prokurori të tjera. Të njëjtat procedura si Prokuroria e Durrësit, po i ndjek edhe Prokuroria e Tiranës, Krujës dhe Laçit që ka urdhëruar sekuestrim në hipotekë dhe prefekturë të dokumenteve, por edhe të procesverbaleve të konstatimit të ndërtesave problematike pas tërmetit të datës 21 shtator.
Të katër prokuroritë po kërkojnë ekspertë ndërtimi për t’i pasur me vete në terren për këqyrjen e objekteve gjatë hetimit për dyshimet rreth ndërtimeve të paligjshme dhe shpërdorimit të detyrës, përpara se ato të shemben me tritol.
Edhe Prokuroria e Kavajës, ku janë evidentuar disa ndërtesa të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor, i kërkon bashkisë që t’i japë listën e objekteve ku do ndërhyhet.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë