Drejtësia

Hetimet e SPAK, Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Monika Kryemadhit për kthimin e celularit

Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi për kthimin e një aparati celular të sekuestruar nga SPAK pas disa kallëzimeve ndaj saj dhe personave të lidhur me të përfshirë ish-presidentin Ilir Meta.

Kryemadhit para së gjithash i është sekuestruar celulari në funksion të hetimeve të SPAK në lidhje me lobimin e LSI-së (Partia e Lirisë) në SHBA.

Kryemadhi e kundërshtoi sekuestron fillimisht në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, por u rrëzua. Të njëjtin fat pati dhe ankimimi në Apel, i cili e gjeti të drejtë sekuestrimin duke lënë në fuqi masën.

Pajisja e llojit “iPhone” i është sekuestruar një personi të afërt të Kryemadhit, ndërsa dyshohet nga SPAK se përdorej prej saj.

Një kolegj penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosi në Dhomë Këshillimi të mos pranojë rekursin e bërë nga Kryemadhi, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm të 4 janarit 2024, që nuk liroi nga sekuestroja telefonin.

SPAK është duke hetuar në një dosje të vetme dy kallëzime të bëra ndaj bashkëshortëve Meta-Kryemadhi. 

I pari është kallëzimi i ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka pretenduar “korrupsion” e “fshehje pasurie”. Kallëzimi tjetër është bërë nga avokati Idajet Beqiri, i cili pretendon se bashkëshortët kanë kryer shpenzime të pajustifikuara në burime të ligjshme për shërbime estetike jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë