Drejtësia

Hetimet për pasurinë, nëna e Monika Kryemadhit 4 orë në SPAK: I kam të gjitha në bankë. Jam krenare për vajzën time

Gazeta Si - Fatime Kryemadhi, mamaja e deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku ka dëshmuar për 4 orë në lidhje me hetimet për pasurinë e vajzës së saj.

Sipas burimeve, mësohet se ajo është pyetur për pasurinë dhe pallatin e Monika Kryemadhit, teksa është shprehur se i ka të gjitha të ardhurat të deklaruara në bankë.

E pyetur nga mediat në lidhje me atë se çfarë ka deklaruar, Fatime Kryemadhi tha se është pyetur për një shtëpi.

Ajo la të kuptohej se i është sekuestruar edhe telefoni celular. Fatime Kryemadhi shtoi se ky sulm ndaj tyre vjen pas akuzave të së bijës për inceneratorët, ndërsa shtoi se me pasurinë ka ndihmuar fëmijët e saj.

“Dhashë sqarime për pronën time, shtëpinë që kam. Kam ndihmuar vajzën time me para dhe me apartamente, i kam të gjitha në bankë", - u shpreh ajo.

"Kam ndihmuar vajzën time, pasurinë e kam në bankë, - tha ajo pas daljes nga SPAK. - Jam krenare për vajzën, e di nga e kam. Kjo histori ka nisur që kur vajza ime ka nisur të merret me djegësat. Unë nuk kam kompani '5D' apo '8D'. Kjo histori është politike”, ka thënë në dëshminë e saj Fatime Kryemadhi.

Disa kohë më parë, SPAK i ka sekuestruar celularin deputetes Monika Kryemadhi, të cilin ia gjeti pikërisht në shtëpinë e mamasë së saj.

Monika Kryemadhi, përmes proceseve ligjore, ka kërkuar disa herë kthimin e celularit të saj me argumentimin se është deputete dhe SPAK duhet të marrë autorizim, por kërkesa është hedhur poshtë për shkak se celulari iu sekuestrua në shtëpinë e të ëmës dhe jo në banesën e saj, ku kërkohej autorizim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë