Mendim

Heronjtë janë bërë telef

Nga Erion Dasho - Kështu u përkthye në kohën  e shqipërimeve entuziaste, titulli i filmit të famshëm francez “Heronjtë janë të lodhur”. Më pas kjo frazë hyri në përdorim të gjerë kryesisht për të shpotitur ata që lodheshin nga punët e jetës së përditshme.

Ky nuk është aspak rasti i bluzave të bardha të dy spitaleve COVID-1 dhe COVID-2, të cilët realisht janë “bërë telef” prej muajsh në shërbim të pacientëve të shtruar në këto spitale.

Të dhënat që dalin nga pavionet e tejmbushur flasin për mungesë ajri të kondicionuar në kushtet e verës së nxehtë mesdhetare dhe mungesë pajisjesh të domosdoshme (si CPAP dhe BiPAP të cilat janë duke i blerë familjarët). Përflitet edhe për mungesë medikamentesh dhe ushqimesh të përshtatshme, madje media raportoi edhe mungesë uji që zgjati disa ditë.

Në bazë të gjithë problemeve lidhur me menaxhimin e COVID dhe ngarkesat stërmunduese të kolegëve tanë, nuk janë ato mungesat e “zakonshme” me të cilat jemi mësuar tashmë me sistemin tonë shëndetësor, por planifikimi dhe menaxhimi katastrofik i COVID-19 në Shqipëri. Pjesa më e madhe e pacientëve të shtruar në COVID-1 dhe COVID-2 nuk kanë nevojë për shtrim në një qendër terciare.

Në se do të ishin diagnostikuar herët dhe ndjekur sipas protokolleve tepër të thjeshtë dhe tashmë të njohur, këta pacientë ndoshta nuk do të kishin patur nevojë për trajtim spitalor.

Edhe sikur të kishin, pjesa dërrmuese e tyre mund të ishin trajtuar në spitalet rajonale, sërish me pajisje tepër të thjeshta dhe me protokolle po aq të thjeshtë sa edhe protokollet e trajtimin në shtëpi nga mjeku i familjes.

Fakti që asnjë nga këto hapa nuk u ndërrmor megjithëse kanë kaluar tetë muaj nga fillimi i pandemisë është thelbi i gjithë situatës që shohim sot në spitale.

Mjekëve të Covid 1 dhe Covid 2 nuk ua ka imponuar heroizmin situata epidemiologjike e Covid-19 në Shqipëri, por paaftësia dhe mungesa e vizionit të menaxherëve dhe drejtuesve të Ministrisë dhe Komitetit.

Ata ngjajnë si dy pika uji me heronjtë e kohës së komunizmit me të cilët liheshin pa mjete pune për të për të përballuar fatëkeqësitë natyrore të kohës dhe shpalleshin hero pas vdekjes.

Në kohën e sotme nuk ka nevojë për të tillë heronj dhe as për sakrificat mbinjerzore të kolegëve tanë!

Thjesht duhet profesionalizëm, vizon dhe aftësi organizative normale nga ata që kanë marrë përsipër drejtimin e Shëndetësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë