Ngjarje

Helmimi masiv nga uji i pijshëm në Krujë, dita e dytë e fluksit të qytetarëve në urgjencën e spitalit (Video)

Ka vijuar edhe këtë të martë fluksi i qytetarëve që i janë drejtuar spitalit të Krujës me simptoma helmimi, që dyshohet të jenë nga uji i pijshëm.

Situata në fakt ka filluar të dielën në mëngjes, të hënën janë shtuar rastet, por fluksi ka vijuar edhe këtë të martë.

Nga mbrëmja e kaluar e deri sot në mëngjes, i janë drejtuar spitalit për mjekim, 150 persona, ndërsa nga e djela deri të hënën në mbrëmje, kanë qnë 170, që në total shkojnë 320 qytetarë, të cilët kanë mbërritur në urgjencë nga lagje të ndryshme të qytetit të Krujës. Pacientët kryesisht janë të moshave të ndrysme, fëmijë, gra, burra dhe të moshuar.

Babai i një fëmije, thotë se djali i tij ka pasur dhimbje barku, të vjella dhe diarre një ditë më parë. Fëmija gjendet i shtruar në spital dhe po merr mjekimin e duhur. “Nga uji i pijshëm duhet ta ketë, se nga gjë tjetër nuk mundet”, - thotë ai.

Ndërkohë, drejtoresha e spitalit, Yllka Sheta, pohon se situata është nën kontroll. Ajo thekson se në tre ditët e fundit kanë mbërritur mbi 300 qytetarë  me simptoma helmimi.

"Kjo situatë vijon që nga e diela në mëngjes. Me shenja helmimi kanë ardhur rreth 300 qytetarë. Nuk ka pasur raste të rënda që t'i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, kanë marrë të gjithë shërbimin këtu. Situata është nën kontroll", thotë ajo.

Paraprakisht burimet bëjmë me dije se shkak i helmimit masiv dyshohet të jetë bërë uji i pijshëm.

Organet kompetente kanë marrë tanimë analizat e ujit, ndërsa në orët në vijim pritet të saktësohet se çfarë e ka shkaktuar helmimin e qytetarëve.

Pas kësaj ngjarje gjithashtu është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm në gjithë qytetin e Krujës. Edhe banorët nga frika e helmimit thanë se kanë nisur të blejnë ujë të ambalazhuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë