Ngjarje

Helmimi masiv në Krujë/ Dalin analizat e para të ujit: Prani e amoniakut mbi normë. Ndotja erdhi nga reshjet

Prezenca mbi normat e amoniakut mund të ketë sjellë helmimin e banorëve në Krujë. Nga analizat fiziko-kimike, të cilat janë bërë publike nga Ujësjellës-Kanalizime Krujë dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së dielë, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm i cili dyshohet të jetë përzjerë me ujërat e zeza.

Gjithsesi në njoftimin e ujësjellësit thuhet se ky rast mbetet për t'u verifikuar pasi analizat periodike të kryera nga laboratorët e NjVKSh (Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor) përpara kësaj periudhe, kanë rezultuar të jenë në norma optimale.

“Dje janë analizuar edhe mostrat e ujit nga veprat e marrjes në Shkretë dhe në burimin e Livadheve, ku parametrat fiziko-kimike të të cilëve kanë rezultuar të jenë vazhdimisht brënda normave”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në njoftim thuhet se janë në pritje të analizave më të detajuara mikro-biologjike nga Instituti i Shëndetit Publik dhe deri në një njoftim të dytë, bannorët këshillohen të zbrazin depozitat me qëllim pastrimin përfundimtar të rrjetit deri në pikat fundore.

Nga dita e diel në mëngjes e deri ditën e sotme (e martë) janë shtruar në spitalin e Krujës 320 qytetarë, të moshave të ndryshme me simptoma helmimi të cilat dyshoheshin si shkak prej konsumimit të ujit të pijshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë