Lajme

Helmimi i çiftit në Librazhd, Olsi Hajdari: Në dhomë kishim mangall me prush

Për çiftin e sapomartuar nga fshati Xhyrë i Librazhdit, për të cilët u tha se ishin helmuar me fotoksinë, del një tjetër variant.
Olsian Hajdari, bashkëshorti që mundi të shpëtonte është përmirësuar dhe ka folur rreth ngjarjes pas dy ditësh në reanimacion.
“Ne hëngrëm darkë me familjen dhe vajtëm e u shtrimë. Morëm edhe një mangall me prush e vendosëm në dhomë dhe kaq. Asgjë tjetër nuk mbaj mend. Se si më kanë dërguar në spital, se kush më ka dërguar nuk di fare asgjë”, mësohet të jetë shprehur ai për prokurorët që po hetojnë çështjen.
Ata u gjetën mëngjesin e së premtes, 5 ditë pasi ishin martuar, në gjendje të rëndë, ku 19-vjeçarja Rezarta Hajdari humbi jetën, ndërsa 27-vjeçari Olsian Hajdari përfundoi në gjendje të rëndë në spital.
Çifti në gjendje të rëndë fillimisht është gjetur nga nëna e Olsianit.
Të gjithë, familjarë dhe të afërm kanë mbetur të shokuar nga ngjarja e rëndë.
Fillimisht, policia me anë të një njoftimi zyrtar tha se çifti është vetëhelmuar.
Mjekët në Spitalin e Elbasanit thanë se dyshimet paraprake të tyre ishin se helmimi i pacientit është bërë me fotoksinë.
Ndërkohë, mjekësia ligjore ka konfirmuar për prokurorët se çifti ka pirë fotoksinë.
Por, bashkëshorti i Rezartës e mohon vetëhelmimin, duke u shprehur se nuk ka pasur probleme me Rezartën.
Familjarët e Rezartës, pasi kanë kryer ceremoninë mortore të vajzës së tyre, janë shprehur se kanë bërë kallëzim në polici, pasi këmbëngulin se vajza e tyre nuk është helmuar nga mangalli me prush.
“Dyshojmë se është helmuar me fotoksinë. Do të këmbëngulim, do t’i shkojmë deri në fund”, mësohet të jenë shprehur familjarët e vajzës.
Lidhur me raportin e çiftit, familjarët e Olsianit janë shprehur se të rinjtë ishin të dashuruar me njëri-tjetrin dhe kishin një marrëdhënie shumë të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë