Ne rrjet

Harta e Kosovës pjesë e Serbisë, Rama shkakton furtunë në Prishtinë

Publikimi i një harte nga kryeministri Edi Rama ku Kosova shfaqej si pjesë e territorit të Serbisë, ka shkaktuar furtunë në Prishtinë, Tiranë dhe Beograd.

Kjo gafë, e cila erdhi ndërkohë që kryeministri po përpiqej të tregonte investimet për sigurimin e furnizimit me ujë në Shqipëri, duket se ka hapur një tjetër front 'lufte' mes Ramës dhe politikanëve në Kosovë.

Marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe disa prej politikanëvee të Kosoës duket se morën  një kthese pas Mini-Shengenit Ballkanik, por edhe deklaratës për të hedhur në gjyq ish-kryeministrin Ramush Haradinaj. Megjithatë publikimi i një harte që e përfshinte Kosovën në territorin serb ka shkaktuar zëmërim të jashtëzakonshëm në opinionin publik në Kosovë, edhe pse Rama e korrigjoi hartën pas disa orësh në Facebook. Shumë prej mediave, ekspertëve apo politikanëve kanë akuzuar kreun e qeverisë shqiptare se e publikoi në mënyrë të qëllimshme këtë hartë, për të dënuar Kosovën për mospjesëmarrjen në Shengenin Ballkanik.

 Haradinaj nuk i kurseu akuzat, duke e lidhur publikimin e kësaj harte me minishengenin ballkanik. Duke iu përgjigjur kryeministrit Rama në një konferecë për shtyp, Haradinaj deklaroi se në rajon po përhapet influence rusë dhe kinezë, me epiqendër në Beograd.

Postimi i kryeministrit Edi Rama, ku Kosova është pjesë e Serbisë

Një reagim edhe më i ashpër ka ardhur nga historiani Jusuf Buxhovi, i cili ka propozuar që Rama të shpallet “persona non grata” në Kosovë.

“Veprimi më i ri i Ramës duhet parë si pjesë e komplotit politik kundër shtetit të Kosovës për interesat serbo-ruse në rajon, që nga politika e Kosovës duhet ndalur sa më parë dhe me të gjitha mjetet pa përjashtuar mundësinë që ai të shpallet persona non grata”, ka thënë Buxhovi.

Por reagimet nuk kanë munguar as në Tiranë. Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka cilësuar publikimin e hartës, akt flagrant të tradhtisë kombëtare.

“Zografi bis në një akt flagrant të tradhtisë kombëtare, fshin Kosovën si shtet i pavarur dhe e paraqet atë si territor të Serbisë”, ka shkruar Berisha.

Reagimet pas postimit te kryeministrit Edi Rama

Nga ana tjetër, zyrtari i LDK-së, Arben Gashi, e cila pritet të qeverisë në koalicioni me Vetevendosjen është shprehur se edhe nëse është gabim ky skandal nuk i falet Edi Ramës.

“Nuk i falet edhe nëse është e paqëllimshme që kryeministri i Shqipërisë të bëjë të tilla gabime”, ka thënë Gashi. “I dashtur kryeministër, ku është Kosova?”, pyet ai.

Por për profesorin nga Kosova Milazim Krasniqi, kryeministri Rama e ka publikuar qëllimisht hartën duke dashur që të provokojë Prishtinën zyrtare.

“Edi Rama nuk ka gabuar me hartën, ai thjesht ka provokuar. Kushdo që e njeh stilin e tij arrogant e hakmarrës, e ka lehtë ta kuptojë këtë provokim të tij të radhës. Me këtë rast Rama ka përcjellë idenë e tij arrogante: nëse nuk e doni Shengenin e vogël, atëherë ju jeni në Serbi”, ka thënë ai.

Reagim pati edhe nga nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, i cili thotë se harta e publikuar nga kryeministri Edi Rama nuk është lapsus dhe as ndonjë lajthitje e rastit. Ai e konsideron një postim provokativ dhe fyes.

“Nuk është një lapsus. Nuk është as ndonjë gabim prej pakujdesisë, publikimi në faqen e profilit të. Është një postim provokativ dhe fyes i Kryeministrit të Shqipërisë, jo vetëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, po për të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë dhe punojnë”, ka shkruar Luan Rama në Facebook.

Pas reagimeve, Rama ka ndërhyrë në postimin e tij duke i fshirë vijat e kufijve. Në profilin e tij gjendet vetëm një video, me foto ndryshe nga ato të mëparshmet, dhe gjithashtu ndryshoi fotot e postimeve.

Por kjo gafë në raport me Kosovën, ka marrë vëmendje të madhe në Serbi, ku mediat thonë se kryeministri shqiptar i ka shokuar shqiptarët e Kosovës.

Reagimet ne mediat serbe

Televizioni shtetëror serb, RTS ka këtë titull: “Rama e kthen Kosovën në krahët e Serbisë”.

Ndërkohë, gazeta serbe “B92” shkruan se pas këtij skandali me hartën, “Prishtina është në shok”.

Por ato që janë treguar më të ashpra kanë qenë mëdiat e Kosovë, të cilat shkruajnë se kryemistri Edi Rama as nuk e ka marrë mundimin të sqarojë këtë skandal ose të kërkojë falje.

“Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, nuk i kanë bërë fare përshtypje reagimet e bëra për hartën e ku Kosova shfaqej si pjesë e Serbisë. Ai nuk e ka marrë as mundimin që të sqarojë këtë skandal. Gazeta Express ka provuar disa herë që të kontaktojë anëtarë të kabinetit të tij për t’i pyetur për këtë temë, megjithatë, ata nuk kanë qenë të arritshëm”, shkruan sot Gazeta. Për më shumë se pesë orë, në faqen zyrtare në Facebook të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi një video në të cilën reklamohej një hartë ku Kosova shfaqej si pjesë e Serbisë”, shton ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë