Ne rrjet

Haradinaj: Vuçiç, Rama dhe Veseli me të njëjtën kompani për fushatat elektorale

Fushata elektorale në Kosovë duket se ka nisur me përplasje dhe akuza të rënda që kanë prekur jo vetëm partitë politike në Prishtinë, por edhe Shqipërinë.

Në një deklaratë për mediat, të publikuar të enjten në mbrëmje, partia e Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zbuluar detaje jo vetëm për propozimin për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, por edhe për kompaninë që sipas tij ka organizuar fushatën elektorale të kryeministrit Edi Rama.

Sipas kryeministrit në detyrë të Kosovës, kompania që po organizon fushatën elektorale të kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit është e njëjtë me atë që ka realizuar fushatën e presidentit setb, Aleksandër Vuçic.

Haradinaj ka thënë se e njëjta kompani është punësuar edhe nga kryeministrit shqiptar, Edi Rama gjatë fushatës së fundit elektorale.


“Kanë marrë një kompani të huaj. Të njëjtën kompani që e ka Vuçiç dhe Rama, e njëjta kompani po organizon edhe fushatën e Veselit. A është koincidencë kjo? Mendoj se duhet dikush të japë llogari”, deklaroi Haradinaj.

Ramush Haradinaj. Gazeta Si, 27 shtator 2019

Në një intervistë televizive, Haradinaj, ka folur për herë të parë edhe për idenë e shkëmbimit të territore, duke zbuluar se Serbia ka kërkuar t’ia marrë Kosovës 950 kilometra katrorë.

“Po po, Serbia ka kërkuar 950 kilometra konkretisht. Tema e ndarjes nuk është më në tavolinë, por Vuçiç e përdor ende ndarjen”, tha ai.

Një skenar i ngjashëm është zbuluar edhe nga kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili ka thënë gjatë një telefonate me humoristët rusë se sipas këtij plani, "Kosova i jap plot 10 komuna Serbisë, në shkëmbim, të bashkimit të Luginës së Preshevës". Nëse ky skenar do të çohej deri në fund, atëherë Kosova do të ishte humbësja më e madhe, pasi do të jepte një pjesë të konsiderueshme të territorit të saj.

Haradinaj tha se Vuçiçi ende ankohet në qarqe të ndryshme diplomatike përse Kosova nuk ka rënë dakort më këtë marrëveshje.

Ai thotë se qeveria serbe është e koordinuar, por në Kosovë mungon ky bashkëpunim.
“Ata dinë ta luajnë policin e mirë dhe policin e keq. Vuçiçi policin e mirë, Daçiç të keqin. Ata kanë koordinim, por ne jo. Hashimi po luan policin e mirë, por kundër vendit të tij. Unë policin e keq, por po e mbroj Kosovën”, tha Haradinaj.

Kryeministri në detyre ka komentuar po ashtu deklaratat e kreut të Vetëvendosjes Albin Kurtit dhe kandidates së LDK-së, Vjosa Osmanit, për heqjen e taksës ndaj importeve serbe. Megjithatë, sipas Haradinajt, ky është një vendim që i leverdis Serbisë dhe jo Kosovës.

Haradinaj ka thënë se Kurti dhe Osmani e dinë shumë mirë që është e vështirë që taksa të mbahet në fuqi, kundrejt vullnetit ndërkombëtar, prandaj kanë paralajmëruar heqjen e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë