Analize

Haradinaj, Thaçi, Vuçiç, Brnabiç, Rama dhe Meta mblidhen në Berlin

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur të mbledhin në Berlin më 29 prill udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta. Samiti i organizuar nga Franca duket se do ta vërë theksin tek bashkëpunimi rajonal dhe pritet të jetë në sinjal pozitiv për vendimin e hapjes së negociatave në qershor. Megjithatë një nga qëllimet kryesor të këtij takimi duket se do të jetë fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Tashmë është konfirmuar se presidentët dhe kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës do të mbajnë një takim në Berlin. Duke cituat burime nga qeveria, mediat serbe konfirmojnë se presidenti dhe kryeministrja, Aleksandër Vuçiç dhe Ana Brnabiç do të takohen me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

Një nga temat qendrore pritet të jetë dialogu Beograd – Prishtinë, por edhe tarifa ndaj mallrave serbe. Presidenti Vuçiç ka theksuar disa herë se nuk do të ketë dialog me zyrtarët e Kosovës derisa ata të heqin taksën prej 100%.

Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi

Ky është takimi i parë i nivelit të lartë pas pezullimit të takimeve nëntorin e kaluar, për shkak të një fushatë agresive të ndërmarrë nga Serbia kundër hyrjes së Kosovës në Interpol.

Si kundërpërgjigje, qeveria e Haradinajt vendosi taksën ndaj importeve serbe, por që atëherë prishtina është përballur me një presin të jashtëzakonshëm nga BE-ja dhe SHBA-ja për tërheqjen nga ky vendim.

Për shumë ekspertë pritshmërinë nga ky takim janë të mëdha. Për Daniel Serwer, ekpertin e çështjeve të Ballkanit, vendimi i Listës Serbe, për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Veri të Kosovës mund të jetë shtysa për të rifilluar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Sipas tij, serbët në veri të Kosovës e kanë kuptuar se nëse bojkotojnë zgjedhjet, atëherë ata nuk do të përfaqësohen në institucione. Megjithatë Serwer ngre shqetësimin nëse skenari për shkëmbimin e territoreve do të jetë pjesë e bisedimeve në Berlin.

“Shpresoj se ideja e shkëmbimit të territorit të jetë gjithashtu e përjashtuar deri në momentin kur të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve”, ka thënë ai.

Megjithatë ideja e Francës dhe Gjermanisë për të mbledhur presidentët dhe kryeministrat serbë dhe shqiptarë nuk është pritur me pozitivitet në Beograd.

Angela Merkel dhe liderët e Ballkanit Perëndimor

Sipas mediave serbe, takimi i lidervë serbe dhe shqiptarë nën moton për bashkëpunimin në rajon mund të fshehin një motiv tjetër: bindjen e Beogradit që pranon të ulet në tryezën e dialogun pa heqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

Duke cituar burime diplomatike, e përditshmja “Novosti” shkruan se nisma e Berlinit dhe Parisit është ndërmarrë qëllimisht për rinisjen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Edhe pse as kryeministri Rama dhe as presidenti Meta nuk kanë pasur një reagim zyrtar deri më tani, Thaçi dhe Vuçiç kanë deklaruar se kanë marrë një ftesë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të shkuar në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.

“Gjermania dhe Franca synojnë të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, sidomos në temat e mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi”, shkruan “Novosoti”. Pas zgjidhjes së suksesshme të çështjes së emrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, fokusi i vendimmarrësve europiane është zhvendosur në përgatitjet për etapën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, thekson ajo.

Një tjetër gazetë serbe, “Srpski Telegraf”, thotë se mbledhja e Vuçiçit, Brnabiçit, Thaçit dhe Haradinajt vjen si pjesë e përpjekjeve të Gjermanisë për të bllokuar skenarin e shkëmbimit të territoreve, duke dalë kështu kundër vullnetit të SHBA-së.


Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi

Sipas gazetës, “Berlini dhe Parisi kanë një strategji për të mos cenuar nën asnjë rrethanë pavarësinë dhe sovranitetit territorial të Kosovës duke penguar kështu planin e presidentit amerikan Donald Trump për shkëmbimin e territoreve.

Sipas gazetës serbe, ndryshe nga SHBA-ja, strategjia e Francës dhe Gjermanisë është firmosja e një marrëveshjeje përfundimtare, sipas të cilës Serbia do të njihte Kosovën, në këmbim të krijimit të një “Republike Srpska” në Veri të Kosovës.

"Presioni nga Gjermania dhe Franca është intensifikuar kohët e fundit. Po i kërkojnë Beogradit të japë, të rifillojë dialogun dhe të nënshkruajë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Prishtinën për të njohur Kosovën. Në kthim, një entitet me status të ngjashëm me Republikën Srpska në Bosnje-Hercegovinë do të formohej në Veriun e Kosovës", thotë gazeta duke cituar burime diplomatike në Berlin.

Presidenti serb konfirmoi të mërkurën se ai do t'i përgjigjej ftesës së Gjermanisë dhe Francës për t'u takuar me liderët shqiptarë, duke theksuar se Beogradi është i gatshëm të nisë bisedimet nëse Prishtina shfuqizon taksën.

Nga ana tjetër, Thaçi tha mbrëmjen e së mërkurës se nuk priste të re në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës në atë takim.

"Do të jetë një takim rutinë që do të konfirmojë interesin e Gjermanisë dhe të Francës në zhvillimin e situatës në Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që kjo konferencë të stimulojë opsionin e liberalizimit të vizave për Kosovën, por edhe mundësi për të dënuar genocidin e Serbisë në Kosovë, "tha ai,


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë