Ne rrjet

Haradinaj s’i ndal akuzat: Rama, Thaçi dhe Vlora Çitaku pro ndarjes së Kosovës

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk i ka ndaluar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me "planet për ndarjen e Kosovës", edhe pse ky i fundit e ka hedhur në gjyq për shpifje.

Duke folur në homazhet e heroit Zahir Pajaziti, Haradinaj u ndal sërish tek idea e shkëmbimit të territoreve, duke akuzuar presidentin Hashim Thaçi, Ramën, por edhe ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, si mbështetës të këtij skenari.

“Shumë zyrtarë në Kosovës që janë rreshtuar pro ndarjes në emër të shkëmbimit të territoreve, por kanë bërë gabim të madh, qoftë Vlora, presidenti Thaçi, kryeministri Rama dhe të tjerë”, ka thënë Haradinaj. Por ky gabim nuk ua ndalon atyre që të vazhdojnë t’i shërbejnë vendit. Ajo [Çitaku], Thaçi, Rama, Vuçiq kanë qenë pjesë pro shkëmbimit të territoreve”, tha Haradinaj.

Këto akuza të ashpra të Kryeministrit në largim vijnë vetëm një javë pasi Rama deklaroi se do të niste veprimet juridike kundër Haradinajt, i cili pretendon po ashtu se Rama, Vuçiç dhe Thaçi kishin një plan të vjedhin 10 miliardë euro nga miniera e Trepçës.

"Haradinaj duhet të dëshmojë në gjykatat e Kosovës pretendimin e rreth 10 miliardë eurove që do të ishin ndarë midis meje, Presidentit të Kosovës dhe Presidentit serb," tha Rama.

Ramush Haradinaj. Gazeta Si, 1 nentor 2019

Haradinaj, i cili dha dorëheqjen korrikun e kaluar pas akuzave për krime lufte, ka deklaruar vazhdimisht se ka arritur të ndalojë përpjekjen e Thaçit, Ramës dhe Vuççit për të përfituar nga ndryshimi i kufirit Serbi-Kosovë.

Më 17 tetor, ai tha në një intervistë në Ora Neës, se ai kishte parandaluar përpjekjen e tyre për t’u pasuruar nga Trepça,, duke bllokuar planin e tyre për të shkëmbyer territore .

"Me një investim prej jo më shumë se 140 milion euro, Trepça siguron një fitim neto prej 500 milion eurosh në vit, që mbi 20 vjet do të thotë 10 miliardë, para nga të cilat duhet të përfitojnë nga Kosova dhe Serbia. Ndalova vjedhjen e 10 miliardë eurove, e cila do të ishte realizuar me planin për ndarjen e Kosovës, ”tha Haradinaj.

“Ky ishte qëllimi i fshehur ekonomik i shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama ishin bashkëpunëtorë në këtë skemë, "shtoi ai.

Rama mohoi akuzën duke deklaruar se mes tij dhe Haradinaj ka shumë ndasi, por se nuk mund t’i toleronte shpifje të tilla.
Edi Rama sqaroi se në gjyq nuk do të hedhë kryeministrin e Kosovës, por ish-kryeministrin, meqenëse Haradinaj ka dhënë dorëheqjen. “Dha dorëheqjen me demek dhe është akoma atje. Është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë dhe hera e fundit që të dal publikisht, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt.

Përplasjet Rama-Haradinaj

Të dy kryeministrat kanë pasur përplasje të vazhdueshme me njëri-tjetrin. Haradinaj akuzoi kohë më parë Ramën se ky i fundit i ka ushtruar presion për heqjen e taksës 100% ndaj Serbisë, si edhe që ishte një nga mbështetësit e planit për ndarjen e Kosovës.
Në një intervistë televizive në korrik, kryeministri Haradinaj “fshikulloi” këdo që mbështeste shkëmbimin e territoreve, duke thënë se Kosova nuk i kishte marrë asgjë Serbisë, që të detyrohej t’i jepte diçka.

Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, Gazeta Si, 1 nentor 2019

Ai ka kritikuar edhe qëndrimin e mbajtur nga qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “disa nga armiqtë e Kosovës flasin shqip”.

“Në Uashington po lobohet nga Kosova, Serbia, por dhe Tirana zyrtare për t’i bindur zyrtarët amerikanë se korrigjimi i kufijve është formula e duhur. Po bëjnë shumë gabim”, tha Haradinaj duke nënvizuar se dhe media ka rënë në grackën e këtyre. “Kushdo që kërkon njohjen nga Serbia me shkëmbim territoresh ose me lëvizje kufijsh është armik i 17 Shkurtit të vitit 2008, i Kosovës së Pavarur dhe Kushtetutës. Kushdo që ende më tutje e zvogëlon këtë Kosovë është armik. Çdo ngacmim i kësaj arritjeje, apo çelje është kthim prapa për shqiptarët”, deklaroi kryeministri.

Ai hodhi akuza të forta, duke deklaruar se në Shqipëri janë paguar pará në favor të projektit të ndarjes së Kosovës. Sipas kryeministrit kosovar, burim i këtyre parave është Rusia, e cila ka arritur të “shtijë në dorë media dhe pushtetarë”.

“Në Shqipëri është lobuar edhe më parë për projektin e ndarjes. Gazetarë dhe analistë nga Kosova… kanë hyrë me shumë para në Shqipëri. Rusët kanë mbërritur në Shqipëri dhe kanë hedhur shuma të mëdha parash për të ndarë Kosovën, duke lobuar në media, televizione dhe pushtetarë”, deklaroi Haradinaj, duke theksuar se kushdo në Shqipëri që del publikisht dhe thotë t’i japin Serbisë Veriun e Kosovës, së bashku me minierën e Trepçës, është duke folur me paratë e rusëve.

Por, përplasja e fortë mes Ramës dhe Haradinajt ishte pas takimit të Berlinit, ku kryeministri i Kosovës tha se kryeministri i Shqipërisë i kishte bërë presion në prezencë të liderëve të Ballkanit kancelares Merkel dhe presidentit Macron për heqjen e taksës. Rama ka një tjetër version dhe thotë që nuk i ka bërë aspak presion Haradinajt në Berlin, por i ka kërkuar që të pranojë propozimin e Francës. Ky propozim sipas Ramës ishte që Kosova të pezullonte dhe jo të hiqte taksën për disa muaj dhe presidenti francez në këmbim të kësaj lëvizjeje ofronte heqjen e vizave për Kosovën. “Sot qytetarët e Kosovës do të lëviznin pa viza dhe nuk do të ishin më në izolim, dhe kjo është mundësi që të vjen një herë”, tha Rama një natë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë