Analize

Haradinaj në Kushtetuese për dorëheqjen e tij. A mund të marrë vendime kryeministri?

Një javë pas njoftimit të papritur të dorëheqjes së tij si kryeministër, Ramush Haradinaj mblodhi sërish kabinetin e tij të premten, mes paqartësive nëse qeveria e tij ka të drejtë ligjore të marrë vendime të rëndësishme. Largimi i tij e ka lënë Kosovën në një “udhëkryq të errët politik”, mes mundësisë për zgjedhje të parakohshme dhe vendosjen e një kryeministri të ri, por deri më tani asnjë nga aktorët politikë në Kosovë nuk mund të thotë me siguri se cilën “rrugë” do të marrë vendi i tyre.

Në një konferencë shtypi pas takimit të kabinetit, Haradinaj iu referua vetes si "ish-kryeministër" dhe insistoi se nuk do të lejojë që Kosova të përballet me një "vakum qeverisjeje" derisa të ketë një administratë të re.

Ndërkohë të hënën, ai njoftoi se ishte drejtuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e vendimit të dorëheqjes nga posti i Kryeministrit të vendit duke kërkuar përcaktimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.

"Qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes sime, dhe me këtë, të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen", shkruan Haradinaj.
.
Në të njëjtën kohë, ai i bëri po ashtu thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.

Haradinaj njoftoi dorëheqjen e tij të premten e kaluar pasi u thirr për t’u marrë në pyetje për krimet e luftës nga Prokuroria e Specialistëve në Hagë, duke deklaruar se nuk mund të ishte kryeministër i Kosovës dhe i dyshuar në të njëjtën kohë. Dorëheqja e Haradinajt ka krijuar shumë paqartësi jo vetëm politike, por edhe juridike e kushtetuese, pasi që ka ngritur dilemat nëse ka apo jo aktualisht Kosova qeveri, qoftë edhe me kompetenca të kufizuara. Vete zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, PDK, vuri në pikëpyetje për ligjshmërinë e çdo vendimi që mund të merrte qeveria e kryeministrit në largim.

Kryeministri Ramush Haradinaj

"Mendoj se kemi nevojë për një interpretim ligjor. Ne mund të trajtojmë tema që janë urgjente, por nuk mund të vazhdojmë të marrin vendime për çdo fushë," tha Hoxhaj të premten.

Haradinaj tha duke dhënë dorëheqjen javën e kaluar se qeveria e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, por paralajmëroi mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare së shpejti. Pas tij, presidenti Hashim Thaçi njoftoi se do të takohet me liderët e partive politike këtë javë "për të kapërcyer situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit".

Megjithatë, partitë e opozitës i kanë kërkuar fuqimisht Thaçit të shpallë një datë për zgjedhje të reja.

"Zgjedhjet e menjëhershme duhet të mbahen përpara se të jetë shumë vonë," tha të premten deputetja e partisë Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, duke argumentuar se qeveria e Haradinajt nuk kishte të drejtë ligjore për të marrë asnjë vendim.

Dorëheqja e papritur e kryeministrit do të thotë për shumë ekspertë se zgjedhjet e reja në Kosovë janë asi “nën mëngë” i opozitës , edhe pse nuk dihet nëse një qeveri e re do të ishte zgjidhja e duhur për shumë nga çështjet e papërfunduara të Kosovës.

Analistët dhe politikanët thonë se largimi i Haradinaj ka implikime të shumta për vendin, i cili tashmë përballet me një varg sfidash të brendshme dhe të jashtme, duke filluar nga mosnjohja nga Serbia fqinje deri tek përparimi i vogël në aspektin e integrimit evropian.
Më 22 korrik, Haradinaj i dorëzoi letrën e tij të dorëheqjes Thaçit dhe kryetarit të parlamentit Kadri Veseli të hënën, por i tha medias se ai do të "vazhdojë të kryejë detyra kushtetuese si Kryeministër i një qeverie në largim".

Haradinaj, presidenti Thaçi dhe kryetari i parlamentit Kadri Veseli

Por askush në Prishtinë nuk e di me siguri se çfarë hapash do të ndërmarrë Presidenti. Sipas pikës 5 të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës nëse “Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, qeveria bie dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Por, ende nuk dihet nëse Presidenti Thaçi do të futet në konsultime të tilla për të propozuar një emër të ri për të përfunduar mandatin e Haradinaj, apo nëse do ta shpërndajë Kuvendin e Kosovës dhe ta çojë rrjedhimisht vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mundësitë për vendosjen e një kryeministri të ri duken të vogla duke marrë parasysh dobësinë e koalicionit qeveritar për të vepruar në mënyrë unifikuar, përleshjet dhe mospajtimet ndërmjet subjekteve politike, sidomos ato ndërmjet AAK-së dhe PDK-së, si dhe vetë prononcimin e Haradinajt se dorëheqja e tij hap rrugë për zgjedhje e që nënkupton mosgatishmërinë e partisë së tij për ta përkrahur një kryeministër të ri.

Analisti politik Fisnik Halimi thotë se dorëheqja e Haradinajt do të sjellë përfitime elektorale për kryeministrin në largim. Sipas tij “Nisma” ishte gati t’i jepte LDK-së dhe Vetëvendosjes aprovimin për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, duke e detyruar Haradinaj të dorëhiqej si hero i persekutuar nga drejtësia ndërkombëtare.

Edhe analisti Imer Mushkolaj thotë se nuk ka hapësirë që të ketë një kryeministër të dytë. Sipas tij, zvarritja e mbajtjes së zgjedhjeve të parakoshme do të mund të bllokonte punën e institucioneve të vendit. “Presidenti duhet që sa më shpejt, duke respektuar edhe afatet kushtetuese, të shpallë zgjedhjet e parakohshme,” tha ai.

Radio-televizioni publik i Kosovës (RTK) ka raportuar, bazuar në burimet e tij brenda Presidencës, se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 8 shtator, ndërkohë që shumë ekspertë në Prishtinë janë të bindur se vjeshta do ta gjejë Kosovën me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt, partneri i tij më i madh i koalicionit, kryetari i PDK-së dhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se vendimi i ish-kryeministrit për dorëheqjen është personal dhe e kishte pranuar, pavarësisht që për këtë nuk kishte pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake.”

Në fakt, që të dy, Veseli dhe Haradinaj kanë pasur një sërë polemikash në distancë në lidhje me çështjen e taksës dhe insistimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë për heqjen e sah, Veseli, i cili ishte në vizitë pune në ShBA në momentin e dorëheqjes së Haradinajt, kishte thënë se nuk do të lejonte që forma në të cilën komunikon Haradinaj me Serbinë të përdoret si gjuhë zyrtare edhe me SHBA-në dhe BE-në.

“Ky është dallimi mes meje dhe kryeministrit Haradinaj,” tha ai. Si përgjigje, kryeministri Haradinaj nga Prishtina e cilësoi deklaratën e Veselit si të ulët dhe servile. “Është e turpshme të bësh heqsh vija paralele mes qasjes tonë ndaj Serbinë dhe asaj me Amerikën,” tha ai.

Menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt reaguan edhe dy partnerët e tjerë të koalicionit qeveritar. Fatmir Limaj, zëvendëskryeministër dhe kryetar i “Nismës Socialdemokrate”, i cili tha se ftesa për Haradinajn është “ftesë e padrejtë nga një gjykatë e padrejtë”. Nga ana tjetër Behgjet Pacolli, ministër i jashtëm dhe kryetar i Aleancës “Kosova e Re”, e cilësoi aktin e dorëheqjes së Haradinajt si “gjest burrështetasi”.

Ndërkohë Isa Mustafa, kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK) opozitare deklaroi se LDK-ja ka kërkuar vazhdimisht që qeveria e Haradinaj të jepte dorëheqjen, por shtoi se ndjente keqardhje që kjo ndodhi për shkak të ftesës nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Reagime ka pasur edhe nga Beogradi. Aleksandër Vuçiç, Presidenti i Serbisë, e quajti dorëheqjen e Haradinajt “mashtrim politik” dhe tha se Haradinaj do të qëndrojë në Hagë dy ose tri ditë dhe “do të kthehet si hero”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë