Ne rrjet

Hapja e negociatave, Holanda i thotë “Jo” Shqipërisë

Holanda duket se ka ndërmarrë një tjetër hap kundër perspektivës europiane të Shqipërisë, duke njoftuar se më 18 qershor do të votojë kundër hapjes së negociatave. Parlamenti holandez ka votuar nje mocion që i kërkon qeverisë së vendit për të dhënë veton kundër Tiranës zyrtare. Ai është votuar nga 70% e deputetëve, të cilët janë shprehur kundër hapjes së negociatave me vendin tonë, por kanë dhënë dritën jeshile ndaj Maqedonisë së Veriut.

Sipas mediave holandeze, mocioni u propozua nga deputeti i Kristian-Demokratëve, Pieter Omtzigt dhe dy parti e tjera të koalicionit qeveritar të përfaqësuar nga Anne Mulder e Freedom and Democracy dhe Nico Drost, i ChristenUnie. Propozimi i deputetit të Kristian-Demokratëve është votuar nga 105 deputet nga 150 që ka parlamenti. 

Si shkak kryesor për refuzimin, është mosarritja e rezultateve në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky vendim vjen vetëm disa javë pasi Holanda i dërgoi zyrtarisht Komisionit Europian, kërkesën e saj për shqyrtimin e rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë.

Pas këtij mocioni, një reagim ka ardhur edhe nga ministri i Jashtem holandez, Stef Blok, i cili ka deklaruar se rekomandimi i Komisionit Europian ishte i parakohshëm për Shqipërinë, duke theksuar se vendi ynë nuk ka plotësuar kriteret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas mocionit të qeverisë holandeze, Shqipëria nuk po arrin rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe pse raporti i Komisionit Europian ishte tejet pozitiv, Holanda thotë se ky dokument nuk mund të vërtetojë nëse Shqipëria i plotëson kushtet e vendosura. Mocioni i parlamentit holandez i bënte thirrje qeverisë që të mos pajtohet me propozimin e Komisionit për fillimin e negociatave për pranimin në BE.

Stef Blok

Në një reagim, Ambasada e Holandës në Tiranë thotë se Amsterdami mbetet i vendosur për perspektivën e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, por thekson se hapja e negociatave me Shqipërinë do të ishte e nxituar.

Ambasada thotë se vendi ynë duhet të ndërmarrë hapa të tjerë përpara, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i BE-s.

“Politika e zgjerimit e Bashkimit Europian bazohet në kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz për të siguruar që reformat në vendet që aspirojnë të bashkohen me Unionin janë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme dhe të dhënat e regjistruara janë të qëndrueshme. Holanda vlerëson dhe mirëpret hapat që ka ndërmarrë Shqipëria, veçanërisht në lidhje me reformën gjyqësore dhe procesin e verifikimit. Procesi i verifikimit është një proces vërtet i rëndësishëm, unik për rajonin. – Megjithatë, ka edhe hapa, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që Shqipëria ende duhet ti ndërmarrë përpara përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Këshilli i BE-së, në qershor të vitit 2018, para se negociatat e pranimit të mund të hapen”, thotë deklarata.”Në dritën e kësaj, parlamenti i Holandës më 12 qershor miratoi një mocion që i kërkoi qeverisë të mos pranonte të hapte negociata me Shqipërinë. Një vendim i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të 18 qershorit për të hapur negociatat e pranimit do të ishte i parakohshëm.. Ne fuqimisht inkurajojmë qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë rrugën e saj. Ne e pranojmë se sa sfiduese është procesi i pranimit dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në reformat e saj sa më shumë që mundemi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”, përfundon reagimin e saj Ambasada e Holandës.

Parlamenti Holandez

Parlamenti Holandez ka bërë publik edhe raportin e fundit pas vizitës së deputetëve në datat 6-7 maj në Tiranë. Ai thekson skepticizmin e hyrjes së Shqipërisë në BE, në një periudhë afatshkurtër, si edhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, delegacioni referon si shqetësim edhe kolapsin politik në raportin pozitë-opozitë. “Gjykata Kushtetuese në Shqipëri nuk është një institucion funksional, pushtetin e saj e ka marrë qeveria. “Reformat shqiptare janë të pakthyeshme, gjë që duhet të ofrojë bazë për hapjen e negociatave, por nuk ka asnjë vendim lidhur me pranimin e Shqipërisë në BE në këtë fazë. Vendimi ka të bëjë me hapjen e negociatave, të cilat patjetër do të kërkojnë shumë vite dhe anëtarësimi do të merret parasysh vetëm kur janë plotësuar të gjitha kërkesat për anëtarësimin në BE, thotë raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë