Pas më shumë se dy dekadash, Prishtina dhe Beogradi do të rihapin linjën ajrore. Marrëveshja është arritur nga dy prej njerëzve më të besuar të presidentit amerikan Donald Trump, të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien
Kompania ajrore “Lufthansa” ka njoftuar sot autoritetet e Kosovës se do të hapë linjën ajrore Prishtinë-Beograd në një të ardhme shumë të afërt, duke shënuar kështu një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Marrëveshja është firmosur në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit Grenell, përfaqësues të aviacionit civil dhe Këshilltari O’Brien.
Grenell duket se ka punuar në heshtje për të bindur të gjitha palët drejt një marrëveshje për hapjen e kësaj linje ajrore, e cila është ndërprerë për shkak të luftës. Prishtina dhe Beogradi asnjëherë nuk kanë mundur të gjejnë gjuhën e përbashkët për hapësirën ajrore të Kosovë , e cila kontrollohet nga NATO.
Përfaqësuesit e kompanisë "Lufthansa" i kanë dorëzuar sot Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës një letër ku kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, është shprehur se ky vendim është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.
“Kjo është një lëvizje që vë në kontakt dy autoritete të aviacionit civil, atë të Kosovës dhe atë të Serbisë, si partnerë të barabartë”, u shpreh Berisha. “Por, ky është hapi i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjes së korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth saj. Kjo është një arritje nga e cila do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”, shtoi ai.
Berisha u shpreh mirënjohës për Ambasadorin Grenell, për administratën amerikane, për NATO-n dhe për KFOR-in për mbështetjen e tyre për nënshkrimin e kësaj marrëveshje më Lufthansan.
Edhe pse lajmi erdhi si një surprizë në Kosovë, marrëveshja u paralajmërua një ditë më parë nga Beogradi zyrtar, i cili duket të jetë më se i lumtur për rikthimin e kësaj lindjeje ajrore.
Do të ishte drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuricc ai që njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Ekonomisë së Serbisë dhe kompanisë “Lufthansa” në Berlin.
“Përvec 12 autobusëve që i lidhin rregullisht Beogradin dhe Prishtinën, po ashtu mund të kemi një linjë ajrore në të ardhmen”, tha Gjuric.
Kjo nuk është hera e parë që ai do të kërkonte rihapjen e kësaj lindjeje ajrore, pasi edhe ne 2016-ën kur nisi dialogu Kosovë-Serbi Gjuric kërkoi futjen e kësaj teme në tavolinën e bisedimeve.
Ky vendim është mirëpritur edh nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shkruan inë Twitter ka shkruar se ky është një hap i rëndësishëm procesin e normalizimit.
“Unë mirëpres kërkesën e Lufthansas për të hapur një linjë ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit. Ky është një hap i rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe procesin e normalizimit. Jam mirënjohës këshilltarit O’Brien dhe ambasadorit Richard Grenell për shtyrjen e këtij procesi”, shkruan Thaçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.