Britania mund të krenohet me të, Lewis Hamilton mbrëmjen e së dielës është shpallur për të pestën herë, kampion i botës në Formula 1. Ka qenë i mjaftueshëm vendi i katërt për britanikun e makinës Mercedes, për t’u shpallur kampion edhe këtë sezon, duke mposhtur sërish rivalin e përjetshëm, Sebastian Vettel.
Çmimi i madh i Meksikës ishte një garë shumë e vështirë për Hamilton. Piloti i Mercedes është ankuar disa herë në kufje për kushtet e këqija të pistës dhe dëmtimit të gomave që nuk rezistonin. Hamilton bëri një hyrje të detyruar në bokse, pas së cilës u parakalua nga ferraristi, Sebastian Vettel. Ishte xhiro e 39-, kur piloti i “kokëkuqes” parakaloi Hamilton edhe pse pak xhiro më u detyrua vetë që të futej në bokse, për probleme me gomat. U duk sikur strategjia që kishte zgjedhur skuderia gjermane ishte e gabuar, por në fund ka rezultuar fituese dhe ka mjaftuar që Hamilton të siguronte vendin e parë në renditjen e përgjithshme disa gara para fundit të kampionatit.
Kryesuesi i garës për pjesën më të madhe të saj, Daniel Ricciardo, 10 xhiro para fundit, për shkak të një defekti në motor u desh që të tërhiqej dhe kreun e mori Max Verstappen, që nuk e lëshoi deri në fund. Pas tij në podium u ngjitën të dyja makinat Ferrari, me Raikonen i dyti dhe gjermanin Vettel i treti. Me garën për pilot të mbyllur, do të shihet në çmimet e ardhshme se si do të shkojë beteja për titullin kampion për konstruktorë.
Me këtë triumf madhështor Hamilton është futur në histori. Ai është piloti i tretë në botë që fiton 5 tituj botërorë në Formula 1, duke barazuar argjentinasin Fangio. Objektivi i radhës për britanikun është të barazojë dhe pse jo të kalojë legjendën Michael Schumacher që është në kuotën e 7 titujve kampion bote.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.