Futboll

Hamburgu humbet “flamurin” e elitarit! Bie pas 55 sezonesh nga Bundesliga

Hamburgu luftoi deri në fund për të mbajtur flamurin e skuadrës së vetme që nuk është rrëzuar ndonjëherë nga elita e futbollit gjerman.

Por, fitorja 2-1 në shtëpi në ndeshjen e fundit të Bundesligës ndaj Borussia Monchengladbach nuk mjaftoi.

Vendasit u dorëzuan pas 54 vite e 262 ditë e 15 minuta dhe përqafuan fatin e tyre; sezonin e ardhshëm skuadra do të luajë në një kategori më poshtë.

Rënia nuk u pranua lehtë nga tifozët. Ndeshja u ndërpre në minutat e fundit për shkak të hedhjes së flakadanëve në fushë dhe sendeve të tjera të forta. Aq u tensonua situata sa gjyqtari kërkoi ndihmën e forcave të shumta të policisë.

Policia u përgjigj dhe për 15 minuta u zhvillua një luftë nervash në kufijtë e përplasjes fizike, saqë në një moment u pa në terrenin e gjelbërt edhe policia me kuaj, që përdoret zakonisht në Gjermani për të shpërndarë protestat e dhunshme.

Situata u qetësua, por fill pas kësaj gjyqtari vendosi përfundimin e takimit.

Hamburgu ishte e vetmja skuadër që ka luajtur që të gjithë sezonet e Bundesligës deri më tani, plot 55 të tilla. Tani i duhet të rikthehet sërish në elitën e futbollit gjerman për të ruajtur vendin e dytë si skuadra me më shumë pjesëmarrje në Bundesligë, vend që e ndan me Verder Bremenim, me 54 prezenca. Fill pas tyre vijnë gjigantët e Bajernit të Mynihut me 53 prezenca në Bundesligë.

Ndërkohë, gara për zonën Champions u luajt deri në sekondat e fundit. Bajern si kampion dhe Shalke e kishin siguruar prej javësh Ligën e Kampionëve, por Borusia Dortmund, Hoffenheim dhe Leverkusen jo.

Hoffenheim përballej në shtëpi direkt me Dortmundin, në një ndeshje që e fitoi me rezultatin 3-1, duke u ngjitur në kuotën e 55 pikëve, po aq sa verdhezinjtë. Leverkusen përballej me Hanoverin, që e mposhti 3-2 dhe shkoi gjithashtu 55 pikë, sa Dortmundi e Hoffenheimi.

Por golavarazhi +14 i la jashtë Champions “Aspirinat” dhe dy biletat e fundit të Ligës së Kampionëve u prenë nga Hoffenheim si vend i tretë me golavarazh +18 dhe Dortmund si i katërt me +17.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë