Bota

Hamasi e konfirmon, vritet komandanti kryesor i grupit radikal në veri të Rripit të Gazës

Hamasi, grupi radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, njoftoi të dielën se njëri prej komandantëve të vet më të lartë është vrarë në luftë me Izraelin.

Grupi radikal njoftoi për vdekjen e Mahmed al-Ghandour, pa treguar se kur dhe ku u vra ai.

Ai është anëtari më i lartë i grupit që është vrarë në këtë luftë, e cila nisi më 7 tetor e nxitur nga sulmet e luftëtarëve të Hamasit në Izrael.

Al-Ghandour ishte anëtar i lartë i grupit të armatosur dhe komandanti kryesor i Hamasit në veri të Rripit të Gazës.

Ai u kishte mbijetuar së paku tri tentimeve të Izraelit për ta vrarë atë prej vitit 2002, sipas Projektit Kundër Terrorizmit, një grup me bazë në Uashington.

Ndërkohë, armëpushimi i brishtë katërditor mes Hamasit dhe Izraelit vazhdoi në ditën e tretë të tij të dielën, pasi grupi radikal i liroi edhe 17 pengje të shtunën vonë, në këmbim të 39 të burgosurve palestinezë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë