Ngjarje

Si u sulmua sistemi TIMS i policisë. Të dhënat s’u prekën. Mesazhi që lanë hakerat

Gazeta Si - Pas sulmit të portaleve qeveritare, objektivi i hakerave të Iranit ka qenë sistemi TIMS i policisë, i cili prej prej mbrëmjes së të premtes ka shkaktuar vështirësi dhe probleme në pikat e kontrollit kufitar të vendit.

Gjatë mbrëmjes së djeshme janë raportuar probleme me këtë sistem si edhe shtim të radhëve të qytetarëve nga brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë.

Deri tani mësohet paraprakisht se të dhënat nuk janë fshirë, pasi është aktivizuar sistemi mbrojtës i sigurisë.

Një problem, i cili fillimisht nuk u kuptua se përse ndodhi, por me kalimin e orëve dhe pas fikjes së serverave gjatë natës, u verifikua për një sulm kibernetik.

Në lidhje me këtë sulm, reagoi edhe kryeministri Rama, i cili tha se burimi i tij ishte nga Irani dhe se qeveria po bashkëpunon me partnerët për të mundësuar shërbimin dhe rikthimin në punë të sistemit TIMS.

Në mesazhin që hakerat iranianë kanë lënë, shkruhet në shqip dhe anglisht: “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës. Dhe kjo lojë do të vazhdojë”.

Sistemi TIMS vijon të jetë i bllokuar dhe ende po kryhet asnjë veprim në kompjutera, teksa ekspertët shqiptarë në bashkëpunim me partnerët po punojnë për ta rikthyer në funksionalitet.

Kur ndodhi sulmi

Sulmi kibernetik ka ndodhur fillimisht në orën 22:10 të premten, duke ndërprerë së pari  shërbimet.

Një goditje tjetër ndodhi rreth orës 23:15, duke bërë të pamundur aksesin në këtë sistem nga shërbimet policore në doganat e vendit.

Edhe mëngjesin e kësaj të shtune, për shkak të daljes jashtë kontrollit të sistemit TIMS, ka pasur radhë të gjata qytetarësh në aeroportin e Rinasit dhe doganën e Kapshticës.

Vonesa janë shkaktuar për shkak të problemit edhe në Portin detar të Durrësit, të  Vlorës, Muriqan, Qafë Botë, Qafë Thanë dhe Kakavijë.

Ndërkohë, ka dalë jashtë funksionit edhe faqja e Policisë së Shtetit, që sigurisht ka lidhje me sistemin e pikave kufitare.

Si u ndalua

Sipas informacioneve paraprake, në momentin e bllokimit të sistemit, serverat janë fikur menjëherë automatikisht, duke aktivizuar masat mbrojtëse të sigurisë.

Sistemi do të vijojë të qëndrojë i fikur sipas ekspertëve për arsye sigurie dhe mësohet në rrugë jo zyrtare se të dhënat nuk janë fshirë.

Megjithatë, do të jenë ekspertët e IT dhe specialistët e AKSHI-t për të kuptuar nëse janë ruajtur të dhënat ose jo.

Në mungesë të sistemit TIMS, përveç shërbimeve, policia e ka të pamundur të verifikojë personat e shpallur në kërkim apo ata që kanë marrë pjesë në ndonjë ngjarje kriminale.

Hyrje-dalje në mënyrë manuale

Aktualisht kalimi për hyrjet dhe daljet në Shqipëri po bëhet manualisht, duke shënuar në regjistra të gjitha të dhënat.

Shqipëria akuzoi zyrtarisht Iranin për sulmin kibernetik të disa javëve më parë ndaj portalit të shërbimeve shtetërore e-Albania.

Për këtë arsye, Tirana zyrtare dëboi nga vendi stafin diplomatik të ambasadës iraniane dhe ka pezulluar marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike.

Për shkak të sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë, Departamenti i Thesarit të SHBA vendosi dje sanksione ndaj Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë, si dhe ndaj titullarit të këtij institucioni.

MEK

Shqipëria është bërë objektiv i Iranit pas pranimit të muxhahedinëve të MEK në vendin tonë 10 vite më parë.

Ky grupim i vendosur në Manzë konsiderohet si kundërshtar i regjimit të Iranit dhe ata janë në një luftë të ashpër me njeri-tjetrin për Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Fillimisht ata ishin me qëndrim në Irak, por pas sulmeve të vazhdueshme nga milicët e mbështetur nga Irani, janë transferuar në Shqipëri.

Sistem i dobët

Ashtu siç theksoi edhe Microsoft dy ditë më parë në raportin e tij mbi sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, hakerat iranianë kanë gjetur defekte në sistemin e mbrojtjes së vendit, duke bërë që ta kenë të lehtë të hyjnë dhe të dalin disa here prej aty, momente gjatë të cilave kanë marrë shumë materiale.

Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptarë, por edhe nga vendet aleate, në përfundim doli se ishte Irani shteti që financoi sulmin kibernetik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë