Politike

SHBA dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë: Do mbajë përgjegjësi

Gazeta Si - SHBA-të kanë dalë në mbështetje të Shqipërisë, duke dënuar sulmin kibernetik të Iranit, që solli ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të Tiranës zyrtare me Teheranin.

Pas deklaratës së kryeministrit Rama se Irani qëndronte pas sulmit kibernetik ndaj shërbimeve qeveritare, SHBA deklaron se Irani duhet të mbante përgjegjësi për atë që kishte bërë.

Në deklaratën e zëdhënëses së NSC Adrienne watson, theksohet se SHBA do të marrë veprime të mëtejshme ndaj veprimeve kërcënuese të Iranit ndaj një aleatit të tyre (Shpipëria).

“Shtetet e bashkuara të Amerikës dënojnë me forcë sulmin kibernetik të Iranit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërinë. Ne i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Edi Rama që Irani të mbahet përgjegjës për këtë incident të paprecedentë kibernetik, - thuhet në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë. - SHBA-të do të ndërmarrin veprime të tjera për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e aleatëve të SHBA-së dhe që vendosin një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike”.

Më tej shtohet se, “për javë të tëra, qeveria e SHBA-ve ka qenë në terren duke punuar së bashku me partnerët e sektorit privat për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur, rikuperuar dhe hetuar sulmin kibernetik të 15 Korrikut që shkatërroi të dhënat e qeverisë dhe ndërpreu shërbimet qeveritare për publikun”.

SHBA thekson se ka arritur në përfundimin se Iranit kreu sulmin kibernetik të pamatur dhe të papërgjegjshëm dhe se ajo është përgjegjëse për operacionet e mëvonshme të hakerave dhe rrjedhjeve.

"Sjellja e Iranit shpërfill normat e sjelljes së përgjegjshme të një shteti në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, që përfshin një normë përmbajtjeje për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun", - vijon deklarata.

Shtëpia e Bardhë thotë se "Shqipëria i sheh rrjetet qeveritare të prekura si infrastrukturë kritike. Aktiviteti keqdashës kibernetik nga një shtet që dëmton qëllimisht infrastrukturën kritike ose në ndonjë mënyrë tjetër dëmton përdorimin dhe funksionimin e saj për të ofruar shërbime për publikun, mund të ketë efekte kaskadë vendase, rajonale dhe globale; paraqesin një rrezik të lartë të dëmtimit të popullatës; dhe mund të çojë në përshkallëzim dhe konflikt".

Më herët kryeministri Edi Rama deklaroi në një videomesazh se Shqipëria do të ndërprejë marrëdhëniet diplomatike me Iranin pasi pas hetimeve u zbulua se ky shtet fshihet pas sulmit kibernetik. Kreu i qeverisë u shpreh se ambasadës iraniane në Tiranë i është dërguar një notë ku kërkohet largimi i gjithë stafit të saj nga vendi ynë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë