Treg

Ekspertët e bujqësisë: Përfitimi me 30 mijë lekë për një hektar grurë, një lëmoshë

Nga Gazeta Si-Deklarata e djeshme(29 korrik) e Ministres së Bujqësisë se çdo fermer që do të mbjellë grurë, do të përfitojë 30 mijë lekë për 1 Ha të mbjellë, ka revoltuar fermerët dhe ekspertët e bujqësisë.

Veç amullisë së politikës fiskale dhe kostove të larta, mungesa e subvencioneve sipas tyre është arsyeja kryesore se përse ngastrat po lihen djerrë dhe sektori është ‘katandisur’.

“U mbars mali e polli një mi”, kështu i është referuar Ervin Resuli, ekspert bujqësie, deklaratës së djeshme, i cili thotë për Gazetasi.al se përfitimi me 30 mijë lekë është lëmosha e radhës për fermerët në kuadrin “nga pak se mësohen me shumë”.

Ervin Resuli, ekspert bujqësie

“Fermerët kanë të paktën në 4 vitet e fundit që kërkojnë mbështetje serioze, pasi shumë fermerë dhe blegtorë po braktisin sektorët dhe do jemi të varur 100% nga mielli serb, që një Zot e di se çfarë hamë!

Kostot nuk janë mbi fermerët, pasi ato po përshtaten duke emigruar apo ndërruar profilin e punës që kanë ushtruar ndër vite, por ato bien mbi qytetarët të cilët do paguajnë më shtrenjtë miellin e Serbisë dhe do ushqehen më pak cilësisht”, thotë ai.

Sipas tij, mbështetja që po jep Ministria e Bujqësisë është shumë e ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

“Në Kosovë, thotë Resuli, kemi një skemë të plotë për grurin dhe jo vetëm. Ai që do të mbështesë nuk të jep lëmoshë për të kaluar radhën. Kosova mbështet:

1- 474 euro për Ha grurë të mbjellë.

2‐150 euro për Ha për plehrat ushqyese të grurit.

3- 0.36 cent për naftën pa limit”.

Për subvencionet e pakta që Shqipëria jep, për Gazetasi.al ka folur edhe Eduart Sharka, kreu i Shoqatës së Fermerëve i cili thotë se ndryshe nga vendet perëndimore por edhe ata të rajonit që u kanë paraprirë pasigurive, në Shqipëri subvencionet janë të pamjaftueshme duke mos i stimuluar fermerët dhe politikat fiskale janë jo favorizuese.

Eduart Sharka, Kreu i Shoqatës së Fermerëve

Edhe ai merr për krahasim Kosovën duke theksuar që ndonëse është një shtet me përvojë shtetformuese shumë të re, me gjysmën e buxhetit tonë, sërish ia ka dalë t’i mbështesë fermerët.

Foto nga një nga protestat e fermerëve

Fermerët kishin paralajmëruar prej kohësh që bujqësia shqiptare e cila trashëgon edhe probleme të vjetra, do të futej në krizë.

Ata kanë thënë herë pas here për Gazetasi.al se do të lënë fermat e tyre dhe do të largohen për të punuar në serat e Italisë.

Dhe në fakt, edhe sipas të dhënave të terrenit të grumbulluara nga fermerët, eksportuesit dhe tregtarët e inputeve, sipërfaqet e mbjella në zonën e Myzeqesë kanë rënë me mbi 25%.

Luhatja e prodhimit bujqësor është sinjalizuesi më i qartë i çrregullimit të ekonomisë vendase dhe trajektores së krizës ku ka hyrë bujqësia sipas ekspertëve.

Për ta, kjo krizë që ka përfshirë bujqësinë, është tregues që ky është viti i fundit i saj. Ata thonë se hallet me të cilat po hasen fermerët janë të shumta e njëkohësisht krejt të papranueshme për një sektor që kontribuon në 20% të PBB-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë