Politike

Grupi Bardhi-Berisha kalojnë në plan ‘B’, debate dhe bojkot në komisionet parlamentare (çfarë ndodhi tek Ligjet)

Rrëzimi i Komisioneve Hetimore dhe bllokimi i Reformës Zgjedhore për shkak të debatit se kush duhet të bashkëdrejtojë reformën nga opozita ka sjellë debate në punimet e komisioneve parlamentare gjatë të mërkurës.

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese shtyu mbledhjen për më shumë se një orë për shkak të mungesës së deputetëve opozitarë, pa arritur që të krijojnë kuorumin. Më pas vijoi komisioni punimet pa pjesëmarrjen e tyre

E njëjta situatë u shfaq edhe në Komisionin e Ligjeve, edhe pse ishin pesë nisma në rend dite të propozuara nga Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa,

 “Keni vrarë parlamentarizmin, nuk mund të ketë normalitet” është shprehur Oerd Bylykbashi në fillim të mbledhjes së komisionit ku ishin të pranishëm  Jorida Tabaku dhe Dhurata Çupi te vetmit nga opozita në komisionin e Ligjeve.

“Nuk mund të vazhdojnë komisionet parlamentare sikur s’ka ndodhur asgjë nisur nga seanca e fundit plenare  

Ne foto: Oerd Bylykbashi tek Komisioni i Ligjeve

Keni rrëzuar instrumentin kryesor që ka një opozitë për të kontrolluar, instrumenti kryesor që opozita ka për të kontrolluar mazhorancën janë komisionet hetimore e cila bën taksative ngritjen e komisioneve hetimore. Ju po rrezoni kërkesa që hetojnë abuzimet skandaloze dhe korruptive, ju e bëni haptazi ditën për diell me akte dhe ne po kërkojmë hetimin e tyre pavarësisht asaj që bën SPAK apo jo. Është e drejtë e Kuvendit që pavarësisht hetimeve penale ne mund të hetojmë dhe të nxjerrim konkluzionet tona

Rregullat e zgjedhjeve përcaktohen me konsensus. Nuk ka ndodhur kurrë që të caktoni bashkëdrejtimin e komisionit të reformës zgjedhore”, tha Bylykbashi duke marrë reagimin e kryetares së komisionit deputetes Bushka e cila tha se nuk është në tagrin e komisionit të merret me atë çështje.

Edhe deputetja tjetër Dhurata Cupi kërkoi llogari se pse ishin përjashtuar deputetët e opozitës nga Kuvendi, ndërsa filloi paralelisht diskutimi për nismën e Jorida Tabakut  “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për prokurimin publik”.

Tabaku tha se ata që propozuan nismat që ajo ka firmosur janë deputetë të PD të përjashtuar nga mazhoranca në Kuvend e për pasojë nuk mund të ishin në komision, ndërsa përfaqësues të qeverisë kishin mbërritur në komision për projektligjet, duke mos u “lodhur” në përgjigje, dhe duke i kërkuar Tabakut që t’ia çojë direkt qeverisë për diskutim. Kjo çoi në kundërshtimin e Tabakut, ndërsa Bushka sqaroi se nismat e Tabakut janë çuar për konsultime me qëllim që të arrihet një konsensus.

Bushka tha se parimisht i mirëpret propozimet e Tabakut, por kërkoi kohë që të shqyrtohen me qëllim daljen në një draft të përbashkët.

Më pas debati ka devijuar tek Samiti i Berlinit nga deputete të PS-së të cilët me një fjali kanë kërkuar që propozimet e Tabakut të shtyhen me qëllim që të ketë kohë për shqyrtim nga ana e qeverisë. Deputeti i PS-së, Petro Koci tha se këto janë sebepe për sherr nga opozita porse në të kaluarën kanë dëshmuar së kanë dështuar. Kjo ka sjellë largimin e Tabakut dhe dy deputeteve te tjerë të PD-së, Bylykbashi dhe Çupi nga punimet e komisionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë