Bota

Gruaja e dyshuar për sulmin me bombë në Monako gjendet e vdekur pranë Kievit

Gazeta Si – Anastasiia Berezovska, gruaja e dyshuar për sulmin e javës së kaluar ndaj oligarkut ukrainas, Vadym Iermolaiev në Principatën e Monakos, është gjetur e vdekur pranë Kievit, kryeqytetit të Ukrainës.

Gazeta ukrainase “Ukrainska Pravda”, duke cituar burime nga organet e rendit, raporton se trupi i saj u gjet të hënën në mbrëmje dhe se gjetjet paraprake tregojnë se ajo është vrarë me armë zjarri.

Sipas burimeve të “Ukrainska Pravda”, janë ndaluar dy persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e saj: një oficer policie dhe një pjesëtar i shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase.

Të hënën, më 29 qershor, një person la një çantë shpine të mbushur me eksploziv jashtë shtëpisë së Iermolaiev-it, i cili jeton në Principatë që nga viti 2022.

Bomba shpërtheu ndërsa ai, bashkëshortja dhe djali i tij 15-vjeçar po ktheheshin në shtëpi; të tre mbetën të plagosur, ndërsa gruaja pësoi lëndime të rënda.

Interpoli, organizata ndërkombëtare e policisë kriminale, kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për Berezovska-n – një shtetase ukrainase 39-vjeçare – me akuza për tentativë vrasjeje, vendosje të eksplozivit në një vend publik dhe komplot kriminal.

Sipas Prokurorisë së Monakos, ajo nuk veproi e vetme. Pasi vendosi bombën, ajo u pa duke kaluar në këmbë drejt Francës dhe prokurorët e Monakos deklarojnë se më pas ajo udhëtoi drejt Italisë me një makinë me qira.

Mbetet e paqartë se si ajo arriti në Ukrainë. Burimet e “Ukrainska Pravda”, tregojnë se Berezovska kishte qëndruar jashtë vendit nga data 22 mars 2025 deri më 1 korrik të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë