Mendim

Grija duhet të ngjyroset

Mentor Kasa - U bënë vite që në Shqipëri, herë Partia Socialiste dhe herë Partia Demokratike përfaqësojnë shumicën vetëm në Parlament. Në shoqërinë shqiptare, as PS, as PD, madje në bazë të pjesëmarrjes në dy zgjedhjet e fundit, as e gjithë klasa politike aktuale nuk përfaqëson shumicën.

Shumica është ajo që në atmosfera zgjedhore njihet si “pjesa, apo elektorati gri”. Kjo është pjesa më e madhe e shqiptarëve sot, që mes thirrjeve për revoltë të opozitës dhe imponimit të një realiteti normal të mazhorancës zgjedhin një rrugë të tretë.

Rruga e tretë është apatia, është indiferentizmi i thellë e shpesh edhe përbuzja e klasës politike aktuale me togfjalëshin “hë se të gjithë njësoj janë”. Kjo është pjesa e shqiptarëve që ka humbur besimin, e që as frymëzohen dhe as mashtrohen nga klasa politike aktuale.

Kjo është pjesa më e shëndoshë e shoqërisë, më e mirëarsimuara, që arrin të ndajë qartë propagandën nga mirëqeverisja dhe revoltën popullore nga protestat me interesa të ngushta partiake. Është pjesa më e zhgënjyer nga politika, e cila çuditërisht, në vend që ta joshë, e ka goditur gjithmonë atë me synim militantizmin partiak të saj.

Rezultati ka qenë i kundërt. Në dy zgjedhjet qendrore të fundit, kjo shtresë jo vetëm që nuk u tkurr, por përkundrazi, u zgjerua. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 2013 votuan 49.86 për qind e shqiptarëve me të drejtë vote, ndërsa në 2017, 46.77 për qind e tyre.

Sigurisht, një pjesë e mirë e “elektoratit gri” është shkaktuar nga emigracioni dhe arsye të tjera objektive për të mos votuar. Por, edhe vetë emigracioni si fenomen është pasojë e keqqeverisjes kronike që ka karakterizuar qeveritë shqiptare në 3 dekadat e fundit.

Sot, kjo pjesë po testohet sërish nga politika. Opozita ka ndërmarrë vendimin ekstrem duke djegur mandatet në grup, ndërsa mazhoranca këmbëngul për një situatë politike, sociale dhe ekonomike krejtësisht normale. PD, LSI dhe aleatët e tyre u larguan nga Parlamenti duke akuzuar Partinë Socialiste për manipulim të rezultatit zgjedhor.

Ata që duket se po rrezikojnë më shumë në këtë mes, e që po luajnë poker “All in” janë udhëheqësit e opozitës. Ata kanë në tryezë vetëm një mundësi, të bëjnë për vete pjesën gri. Edi Rama nga ana tjetër ka në lojë dy rezultate. Së pari, është ruajtja në këto shifra të elektoratit gri dhe së dyti tërheqja e tij drejt vetes me arsyetimin se opozita po proteston se ka frikë nga drejtësia.

Vështirë se të dyja palët do të t’ia arrijnë qëllimit dhe gjasat janë që në fund të përplasjes së radhës të “brirëve” mes tyre të prodhohet sërish rezultati i kundërt.

Ky rezultat hipotetik do të shtonte dozat e zhgënjimit ndaj politikës dhe do të minonte edhe më shumë përpjekjet për të ndërtuar një demokraci të shëndoshë, me politika ekonomike të shëndosha që sigurojnë mirëqënie dhe sidomos dhënien fund të trajtimit përpara ligjit nën parimin “një i njerkës, një i nënës”.

Ndaj, për të shmangur zvarritjet e mëtejshme drejt ndërtimit dhe konsolidimit, së pari të një shteti serioz, ku Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksionojnë prej muajsh, lipset angazhimi i shtresës gri.

Partitë politike duhet të reflektojnë përmes ndërtimit të programeve, platformave, premtimeve reale, që nuk premtojnë as ndërtimin e një stadiumi me “ndriçim e parametra europiane” në një zonë ku mundësitë e punësimit janë të pakta dhe as përmirësimin “e cilësisë së diellit”.

Deri më tani, këto ose nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë fare pak dhe udhëheqësit e politikës nuk janë në gjendje që t’i transmetojnë përtej perimetrit të militantëve të tyre. Por, ka edhe rrugë të tjera që mund të tkurrin elektoratin gri. E para është vota e emigrantëve përmes një sistemi joburokratik, të thjeshtë dhe të besueshëm, ndërsa e dyta është ndërhyrja në ligjet e vendit duke sanksionuar vlefshmërinë e zgjedhjeve me pjesëmarrjen të të paktën 50 për qind të votuesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë