Bota

Greqia shpall 3 ditë zie kombëtare. Dëshmitarët: Pamje të frikshme, panik dhe zjarr kudo

Gazeta Si - Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka shpallur tre ditë zie pas ngjarjes tragjike në Tempi ku dy trena u përplasën duke shkaktuar vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e mbi 80 të tjerëve.

Flamujt do të ulën në gjysmë shtizë në institucionet greke dhe do të pezullohen të gjitha festimet publike nga dita e sotme deri më 3 Mars.

Kreu i qeverisë greke pritet të shkojë vetë në vendin ku ndodhi aksidenti hekurudhor, i cili është më i rëndi në historinë e vendit. Menjëherë pas ngjarjes ka patur reagime të shumta.

Presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen shkroi në rrjetet sociale se e gjithë Europa po vajton me Greqinë.

Edhe Ministria e Jashtme e Turqisë nëpërmjet një deklarate për shtyp shprehu ngushëllimet për viktimat në aksidentin tragjik dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit.

Vassilis Polyzos ishte dëshmitar i aksidentit të ndodhur mes dy trenave në Greqi mbrëmjen e së martës.

“Pamja e parë ishte e frikshme, sepse kishte shumë copa të mëdha çeliku kudo. Trenat u shkatërruan plotësisht, si pasagjerë ashtu edhe mallra. Treni i pasagjerëve po shkonte me rreth 160 kilometra në orë dhe pati një përplasje të qartë kokë më kokë”, tha Vassilis Polyzos.

“Njerëzit ishin natyrshëm të frikësuar, shumë të frikësuar. Ata shikuan përreth, kërkuan ndihmë. Ata nuk e dinin se ku ishin”, shtoi dëshmitari.

“Dëgjuam një zhurmë të madhe. Pastaj u përhap panik. Kavo, zjarr. Zjarri ishte i menjëhershëm. Zjarri ishte djathtas dhe majtas. Për 10-15 sekonda ishte kaos. Përmbysje, zjarre, kabllo të varura, xhama të thyer, njerëz që bërtisnin dhe njerëz të bllokuar”, tregon një nga të mbijetuarit, 28-vjeçar Stergios Minenis.

Sipas një pasagjeri, i cili tregoi përjetimin e tij për "Sky News", xhamat u thyen shumë shpejt, ndërsa njerëzit bërtisnin dhe kishin frikë.

“Për fat të mirë, mundëm të hapnim dyert dhe të largoheshim shumë shpejt. Në vagonët e tjerë nuk arritën të dilnim e madje vagoni mori flakë”, tregon ai.

Një pasagjer tjetër, Angelos Tsiamouras tha për mediat lokale se përplasja ishte ndjerë si një tërmet, ndërsa një tjetër i quajtur Lazos tha për “Protothema”: Unë nuk u lëndova, por u gjakosa nga njerëzit e tjerë që u plagosën pranë meje.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 23:00, me orën lokale, në afërsi të Tempi. Treni po përshkonte hekurudhën Selanik-Larisa dhe ishte nisur në orën 19:22.

Të paktën 36 persona kanë humbur jetën dhe dhjetra të tjerë janë plagosur si pasojë e përplasjes së 2 trenave pranë qytetit të Larisës deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë