Bota

Video / Tragjedi në Greqi, 40 të vdekur dhe 130 të plagosur pas përplasjes së 2 trenave. Dyshohet për gabim njerëzor

Gazeta Si - Aksident shumë i rëndë hekurudhor në Greqi, pranë qytetit të Larisës pak para mesnatës së të martës.

Një tren që udhëtonte midis Athinës dhe Selanikut doli nga shinat duke shkaktuar të paktën 40 të vdekur dhe 130 të plagosur, nga të cilët 53 të shtruar në spital.

Sipas informacioneve paraprake, një tren mallrash dhe një pasagjerësh me  300 persona në bord, janë përplasur dhe tre vagonë ​​kanë dalë nga shinat dhe kanë përfunduar në një argjinaturë.

Në kuadër të hetimeve për aksidentin, policia greke ka arrestuar shefin e stacionit të trenit të Larisës. Mediat hedhin dyshime se mund të ketë një gabim njerëzor në origjinën e përplasjes, të cilat - duke cituar sindikatat e sektorit - shpjegojnë sesi sistemi i kontrollit të trenave është ende manual.

Duke folur për mediat vendase, presidenti i OSE-së, Kostas Genidounias , tha se nëse do të kishte funksionuar sinjalizimi me dritë, tragjedia mund të ishte shmangur.

Lidhur me rrethanat e aksidentit,  Genidounias, shpjegoi se në pikën ka një linjë të dyfishtë, një tren ngjitet, një zbret, por të dy kanë qenë në të njëjtën linjë.

Sipas televizionit publik Ert, të paktën një nga vagonët ka marrë flakë dhe disa persona kanë mbetur të bllokuar. Një operacion i madh shpëtimi ka nisur nga autoritetet: policia, 40 zjarrfikës dhe 30 autoambulanca kanë shkuar në vendin e aksidentit për të dhënë ndihmën e parë.

Zjarri, raporton ende agjencia AKSH, është shuar nga zjarrfikësit të cilët vlerësojnë se përveç “dhjetëra të lënduarve, ka edhe disa të vdekur”.

“Ne përjetuam diçka shumë tronditëse. Nuk jam i plagosur, por jam bërë me gjakun e personave të tjerë që u plagosën pranë meje”, tha Lazos, pasagjer i intervistuar nga gazeta “Protothema”.

Sipas “Onlarissa”, dy spitale në zonën e Larisës janë kërkuar për të akomoduar shumë të plagosur.

“Operacioni për shpëtimin e personave të bllokuar po vazhdon dhe po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të ashpërsisë së përplasjes mes dy trenave”, tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i zjarrfikësve Vassilis Vathrakogiannis.

Kostas Agorastos, guvernatori i Rajonit, shpjegoi se "më shumë se 250 pasagjerë u transferuan me autobus për në Selanik" dhe se "për fat të keq numri i të plagosurve dhe të vdekurve ndoshta do të jetë i lartë".

Është mbajtur edhe një mbledhje e qeverisë për krizën. Në vendngjarje ka shkuar ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris.

"Treni u vonua dhe u ndal për disa minuta kur dëgjuam një zhurmë shurdhuese", - tha një vajzë e përlotur për uebsajtin e medias lokale “Onlarissa”.

Në trenin e udhëtarëve raportohet se ndodheshin 350 persona. Në një reagim paraprak për ngjarjen, Autoriteti Hekurudhor grek tha se trenat ishin përplasur kokë më kokë, por pa dhënë detaje të tjera.

Për numrin e pasagjerëve dhe problemet me biletat, përfaqësues të "Hellenic Train", pohojnë se ka një listë të pasagjerëve, por në hekurudhë nuk është e detyrueshme identifikimi si në avionë, ndaj një emër mund t’i korrespondojë 4 biletave, duke vështirësuar indifikimin e viktimave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë