Ngjarje

(Emrat) Përplasja e trenave në Greqi, mes të plagosurve edhe 5 shqiptarë. Një 18-vjeçare në spital jashtë rrezikut për jetën

Gazeta Si - Pesë shqiptarë kanë mbetur të plagosur jashtë rrezikut për jetën në tragjedinë hekurudhore në Greqi pas përplasjes së dy trenave në Larisa.

Sipas konfirmimit të Konsullit Shqiptar në Selanik, Arqile Sota, për fat të mirë nuk ka shtetas shqiptarë mes viktimave, numri i të cilëve ka shkuar deri tani në 40.

Sipas burimeve, një vajzë 18-vjeçare Elisia Paço, ka dëmtime të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht po trajtohet në spital dhe nesër pritet të dalë prej andej.

Trajtime spitalore ka marrë edhe shtetasi Dhimitër Zonga, i cili kishte deklaruar se ka qenë në trenin që u përplas në Tempi, pa dëmtime serioze.

Plagë më të lehta kanë pësuar edhe shqiptarët: Erisa Almeta, 12 vjeçe, Vanesa Plasa, 13 vjece dhe Frankli Besaj 20 vjeç. Pas mjekimit në spital, shqiptarët e përfshirë në aksidentin hekurudhor pritet të kthehen në shtëpi.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht edhe nga ministria e Jashtme, e cila thekson se deri më tani fatmirësisht nuk ka shtetas shqiptarë në radhët e viktimave.

“Bazuar në komunikimin e fundit që ambasada dhe konsullata shqiptare në Greqi kanë patur me autoritetet greke, deri më tani nuk ka informacion për shtetas shqiptarë në radhët e viktimave të aksidentit hekurudhor. Po vijohet me identifikimin e tyre. 5 persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore”, - thuhet në njoftimin e MEPJ.

Ministria e Jashtme informoi më herët se është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën në Athinë dhe Konsullatën e Përgjithshme në Selanik lidhur me aksidentin. Ndërkohë raportohet se përfaqësues  të konsullatës kanë shkuar në vendngjarje.

Po ashtu në lidhje me këtë ngjarje, ka reaguar edhe ministrja e Jshtme, Olta Xhaçka e cila u shpreh: "Të trishtuar nga aksidenti tragjik që ndodhi në Tempe në Greqi nga përplasja e dy trenave. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre të këtij aksidenti vdekjeprurës. Shërim sa më të shpejtë të plagosurve!".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë